Ndërmarrja Publike Hekurudhat e Kosovës, “Trainkos” ka njoftuar se janë dëmtuar vagonët e riparuar në Stacionin e Hanit të Elezit, ku kanë bërë të ditur se ky akt është evidentuar si i qëllimshëm, raporton Gazeta “Enigma”.
Tutje ata kanë njoftuar se vagonët në fjalë janë rikonstruktuar përmes një investimi publik në vlerë prej 423,000 euro, të ndara nga Ministria e Ekonomisë, dhe ende nuk janë vendosur në operim.
“Ndërmarrja Publike “Trainkos” Sh.A. njofton opinionin publik se sot, në Stacionin Hekurudhor të Hanit të Elezit, është evidentuar një akt i qëllimshëm dëmtimi i disa vagonëve të sapo riparuar, të cilët qëndrojnë në këtë stacion përkohësisht për shkak të mbylljes së linjës Hani i Elezit – Fushë Kosovë”.
“Vagonët në fjalë janë rikonstruktuar përmes një investimi publik në vlerë prej 423,000 euro, të ndara nga Ministria e Ekonomisë, dhe ende nuk janë vendosur në operim. Dëmtimi i tyre para përdorimit operacional paraqet një goditje të rëndë ndaj përpjekjeve për përmirësimin e transportit hekurudhor në Kosovë”, thuhet në njoftim. /Gazeta Enigma/