Deputeti i Vetëvendosjes, Artan Abrashi ka reaguar pas dënimit me burgim të dy kolegëve të tij.
Përmes një postimi në Facebook, Abrashi e ka përdorur një thënie të aktivistit të parë afrikano-amerikan për të drejtat civile në SHBA, Martin Luther King.
“Padrejtësia diku është rrezik për drejtësinë kudo!”, ka shkruar Abrashi, ish-kryesues i Kuvendit Komunal të Prizrenit.
Ndryshe, Gjykata Themelore në Prizren të martën i ka dënuar deputeten e LVV-së, Jetmire Vrenezi dhe ish-drejtorin e Inspektoratit në Prizren, Islam Thaqin për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Ndaj tyre u shqiptua dënimi me nga 3 vite burg dhe dy mijë euro gjobë.
Të akuzuarit tjerë në këtë rast: Egzona Morina- Thaçi, Arian Taraku, Isë Bislimaj, dhe Shqipron Krasniqi janë liruar nga akuzat.
Prokuroria Themelore në Prizren, më 20 dhjetor 2019 kishte ngritur aktakuzë ndaj Islam Thaqit, Jetmire Venezit, Egzonë Morina-Thaqit, Arian Tarakut dhe Isë Bislimajt, me akuzën e “keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Në aktakuzë thuhet se me 19 dhe 21 korrik 2019 në Prizren, në objektin “Abi Çarshia”, të akuzuarit Islam Thaqi, në cilësinë e drejtorit të Inspektoratit, Jetmire Verezi dhe Egzona Morina Thaqi, inspektore të ndërtimit, Arianit Taraku dhe Isë Bislimaj, zyrtarë në Drejtorinë e Inspektoratit, Shqipëron Krasniqi, përfaqësues ligjor në Komunën e Prizrenit, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, i tejkalojnë kompetencat e tyre me qëllim të shkaktimit të dëmit “Abi” SH.P.K në Prizren.
Sipas aktakuzës, të akuzuarit realizojnë rrënimin e aneks-objektit të “Abi Çarshia”, duke e ditur se i dëmtuari ka dorëzuar aplikacionin për legalizim.