Gjykata Themelore e Gjilanit e ka shpallur fajtore të akuzuarën A.S., duke e dënuar me 1 mijë euro gjobë, për akuzën se nën ndikimin e substancave narkotike, e kishte plagosur aksidentalisht të dëmtuarin Princ Valentino Corleone, duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore.
Aktgjykimin ndaj të akuzuarës S. e shpalli të enjten, kryetari i trupit gjykues Aziz Shaqir, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas aktgjykimit, e akuzuara A.S, për të tri veprat penale me të cilat e ngarkonte aktakuza, dënohet me një gjobë kumulative në vlerë prej 1 mijë euro, të cilën obligohet ta paguajë në një afat prej 30 ditësh.
Në rast se e akuzuara nuk e paguan gjobën, dënimi me gjobë i zëvendësohet në dënim me burgim prej 50 ditësh.
Paraprakisht, në seancën e sotme e akuzuara A.S. përmes avokatit të saj Ramadan Leka ka pranuar fajësinë për të tri veprat penale me të cilat e ngarkonte akuza.
E akuzuara dhe i dëmtuari Princ Valentino Corleone, gjatë dëshmive të tyre para trupit gjykues, kanë deklaruar se ngjarja kishte ndodhur në mënyrë aksidentale dhe pa paramendim për të shkaktuar rrezik për të pranishmit dhe se e njëjta kishte ardhur si pasojë e ndikimit të substancave narkotike.
E pandehura S. para trupit gjykues është zotuar se nuk do të përsëriste vepra të ngjashme apo të tjera me karakter penal, duke shtuar se gjatë qëndrimit në paraburgim, e kishte kuptuar se mund të jetonte edhe pa përdorimin e substancave narkotike.