Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka njoftuar për vendimin e marrë këtë të mërkurë mbi dënimin me një vjet burgim të A.I pas kërcënimit ndaj ekipeve të dy mediave.
AGK e ka mirëpritur vendimin.
Në njoftim, AGK tha i referohet një njoftimi të Gjykatës Themelore të Gjilanit, ku thuhet se “A.I. i është shqiptuar dënim me një (1) vit burgim, i cili dënim nuk do të ekzekutohet nëse i pandehuri brenda 2 (dy) viteve nuk kryen vepër tjetër penale”.
“AGK-ja përshëndet efikasitetin me të cilin Gjykata e ka trajtuar këtë rast dhe prioritetin që i është dhënë, me besimin se kjo praktikë do të vazhdojë edhe në të ardhmen”, thuhet në njoftimin e AGK-së.
AGK-ja thotë se e ka mirëpritur Strategjinë e KGjK-së të miratuar në janar të këtij viti, e që prioritizon rastet gjyqësore që ndërlidhen me shpifjen dhe sigurinë e gazetarëve dhe të anëtarëve të shoqërisë civile.
