Kamenicë – Gjykata Themelore në Gjilan, dega në Kamenicë, e ka dënuar me 900 euro gjobë zyrtarin policor F.K., i cili nga prokuroria po akuzohet se në dhjetor të 2020-ës e ka keqtrajtuar të dëmtuarin R.Sh, duke e goditur me grushte në kokë.
Shpalljen e aktgjykimit e ka bërë të martën, gjykatësi Sadri Krasniqi.
Sipas gjykatësit Krasniqi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit brenda afatit ligjor.
Ndërkaq, i dëmtuari R.Sh. për realizimin e kërkesës pasurore-juridike është udhëzuar në kontest civil.
Prokuroria Themelore në Gjilan, më 19 prill 2021, ka ngritur aktakuzë ndaj F.K., me arsyetimin se në dhjetor të 2020-ës në Kamenicë, ai si zyrtar policor derisa ishte në detyrë zyrtare, e ka keqtrajtuar të dëmtuarin R.Sh.
Sipas prokurorisë, derisa i akuzuari së bashku me kolegët e tij policor A.K., L.L dhe F.K., ishin në pikë kontrolli tek “Viva Fresh”, ku A.K., L.L. dhe F.K. ishin jashtë veturës zyrtare, ndërsa F.K. brenda në të, me ç’rast kanë ndaluar të dëmtuarin R.Sh., ku në atë rast A.K. ia ka kërkuar atij dokumentin e identifikimit dhe ka kërkuar të dijë se pse i dëmtuari nuk kishte maskë dhe kishte dalur në orë policore, dhe më pas nga vetura del i pandehuri F. dhe ka kërkuar që ndaj tij t’i shqiptohet një tiketë fillimisht 35 euro e pastaj në shumë prej 200 euro.
Tutje, në aktakuzë thuhet se gjatë shqiptimit të tiketës, derisa ishin duke debatuar, i akuzuari e kishte kapur të dëmtuarin për njërën dorë duke e shtrënguar dhe së bashku me zyrtarët tjerë policor e kanë arrestuar duke e rrëzuar në tokë, ku i akuzuari e ka goditur disa herë me grushta të dëmtuarin në kokë, duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore.
Me këtë, F.K. akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike”, nga neni 195, paragrafi 1 të Kodit Penal, vepër kjo e dënueshme deri në tre vjet burgim. /BetimipërDrejtësi