Një gjykatë në Stamboll ka dënuar me burg këtë të mërkurë, më 16 korrik, kryetarin e Bashkisë së Stambollit, Ekrem Imamoglu, i cili është rivali kryesor i Presidentit të Turqisë, Tayyip Erdogan.
Reuters raporton se Imamoglu, i cili ndodhet në burg në pritje të gjykimit që prej muajit mars edhe për disa akuza të tjera që kanë të bëjnë me korrupsionin, u dënua me një vit e tetë muaj burg për fyerje dhe kërcënim ndaj prokurorit të përgjithshëm të Stambollit. Dënimi me burg duhet të konfirmohet nga dy gjykata.
Kjo është hera e dytë që Imamoglu dënohet për fyerje ndaj zyrtarëve publikë. Në vitin 2022, ai u dënua me dy vjet e gjashtë muaj burg për kritika ndaj zyrtarëve të komisionit zgjedhor lidhur me vendimin për anulimin e zgjedhjeve të Stambollit të vitit 2019, në të cilat ai kishte mundur kandidatin e Partisë AK në pushtet. Ai e ka apeluar këtë vendim, por ende nuk është shqyrtuar. Imamoglu i mohon akuzat.
“Po luftoj kundër abuzimit me drejtësinë dhe përdorimit të saj si një mjet politik. Kjo është në të vërtetë një fyerje ndaj kombit tonë,” u citua të ketë thënë Imamoglu nga transmetuesi Halk TV dhe media të tjera turke.
Dënimi i vitit 2022, nëse konfirmohet, mund ta ndalojë Imamoglu-n të marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme. Universiteti i Stambollit në mars anuloi diplomën universitare të Imamoglu-t, pa të cilën ai nuk mund të kandidojë për president.
Që nga tetori i vitit të kaluar, policia ka ndaluar mbi 500 persona, prej të cilëve më shumë se 200 janë burgosur në pritje të gjyqit, në kuadër të hetimeve ndaj bashkive të drejtuara nga partia kryesore opozitare CHP, që është partia e Imamoglu-t.
CHP i mohon akuzat për korrupsion dhe i cilëson ato si një përpjekje e politizuar e qeverisë për të eliminuar kërcënimet elektorale ndaj Erdoganit, një akuzë që qeveria e mohon.
Seanca gjyqësore e së mërkurës u mbajt në kompleksin gjyqësor në rrethin Silivri të Stambollit, një vend që përdoret shpesh për gjyqe me profil të lartë dhe të ndjeshme politikisht, dhe ku aktualisht po mbahet Imamoglu.