Gjykata Themelore në Prizren, ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit Z.S., komandant i nënstacionit policor në Zhur.
Kjo për shkak se kishte kryer veprën penale falsifikim i dokumentit zyrtar. Megjithatë, dënimi ndaj tij është vetëm me kusht. Sipas gjykatës, ai ndryshoi një fletparaqitje të kundërvajtjes.
“I akuzuari, si person zyrtar – Komandant i Nen Stacionit Policor ne Zhur, ne dokumentin zyrtar – Fletëparaqitjen për Kundërvajtje, me numër SHQ……, të datës 27 mars 2021, të lëshuar kundër kundërvajtëses, M.E., nga zyrtari policor V.F., dhe D.K., sipas së cilës fletëparaqitje ajo kishte bërë kundërvajtje dhe për të cilën kundërvajtje të njëjtës i është shqiptuar gjoba në shumë prej 200 euro, masa mbrojtëse – marrja e patent shoferit për tre muaj dhe shqiptimi i një pike negative, ashtu që i akuzuari në këtë fletëparaqitje shënon të dhëna të rreme..”
“…, në atë mënyrë që më datë 29 mars 2021, ndërhyn në fletëparaqitjen duke shënuar se kundërvajtësja ka kryer kundërvajtje, tek pjesa e gjobës ia bën gjobën 50 euro, anulon masën mbrojtëse dhe piken negative duke fshirë me lapsin kimik, fshin edhe tek vendi ku shkruan “Dokumenti i konfiskuar”, ku ka qenë i shënuar numri i patentë shoferit të kundërvajtëses, vendos nënshkrimin e tij tek “Nënshkrimi i mbikëqyrësit” dhe shënon numrin e ID-se se tij, me të cilin nënshkrim vërteton këtë dokument zyrtar që përmban të dhëna të rreme. Këso dore ka kryer veprën penale – Falsifikim i dokumentit zyrtar të Kodit Penal”.
Gjykata, në kuptim të Kodit Penal dhe Kodit të Procedurës Penale, të akuzuarin e gjykon me dënim me kusht ashtu që i vërteton dënimin me burg në kohëzgjatje prej 7 muajve, i cili dënim nuk do të ekzekutohet, në afat prej 1 viti, nga dita e plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi, nëse i akuzuari nuk kryen vepër të re penale.
Pas shpalljes së aktgjykimit, kryetari i trupit gjykues ka njoftuar palët që brenda afatit ligjor të gjithë palët në procedurë do të pranojnë aktgjykimin e plotë në formë të shkruar dhe të arsyetuar.
Kundër këtij aktgjykimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit