Armend Mirena, drejtor i klubit të basketbollit AS Kastrioti, është dënuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë për shkak të konfliktit të interesit lidhur me ndarjen e subvencioneve për sport nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve në bashkëpunim me Komunën e Obiliqit.
Mirena është dënuar me 1 mijë e 750 euro dhe 6 muaj burgim, dënim i cili i është zëvendësuar me gjobë. Për dënimin me burg, Mirena do të paguajë 3 mijë e 250 euro gjobë, ose në total dënimin unik me gjobë në vlerë prej 5 mijë eurove.
Përpos Mirenës, nga gjykata sot është dënuar edhe Ardiana Gërvalla. Ajo është dënuar me 2 mijë euro gjobë për shkak të ndihmës në kryerjen e veprës penale të Mirenës.
Mirena e Gërvalla kishin arritur marrëveshje për pranimin e fajësisë me Prokurorin e Shtetit, raporton Betimi për Drejtësi.
Sipas aktakuzës se ngritur më 14 shkurt 2025 nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Armend Mirena akuzohej se gjatë muajit mars të vitit 2023 në Obiliq, në pozitën e zyrtarit në Drejtorinë për Kulturë, Rini dhe Sport në Komunën e Obiliqit, si dhe kryetar i Komisionit për ndarje të Subvencioneve për këtë Drejtori, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete, ka tejkaluar kompetecat e tij duke e ditur se ka konflikt interesi për shkak se ka qenë themelues i klubit basketbollistik “AS Kastrioti”, ka dorëzuar aplikacionin për subvencionim sipas thirrjes publike të Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport, të Komunës së Obiliqit, për këtë klub basketbollistik, ku edhe ka përpiluar e nënshkruar dokumentacionin e klubit në emër të Admir Hashani, e pastaj në cilësinë e kryetarit të Komisionit për ndarje të subvecioneve ka shpallur fitues të subvencionit klubin “AS Kastrioti”, duke përfituar shumën materiale prej 9 mijë e 900 euro.
Me çka, akuzohej se ka kryer veprën penale “Konflikt Interesi” nga neni 417, par.1 të Kodit të Penal të Republikës së Kosovës.
Kurse, Ardianë Gërvalla akuzohej se gjatë muajit shkurt të vitit 2024 në Obiliq, në cilësinë e monitorueses për OJQ-të Rinore dhe Sportive, me dashje e ka ndihmuar të pandehurin Armend Mirena, ku duke shfrytëzuar detyrën zyrtare nuk i ka përmbushur detyrat e saj me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për tjetrin dhe më 29 shkurt 2024 ka përpiluar Raportin përfundimtar për subvencionet e ndara nga Komuna, ku në pikën 10 të raportit shkruan se ajo nga afër ka parë aktivitetet e mbajtura nga klubi gjatë vitit 2023, ku klubi ka garuar me gjeneratat e reja dhe senior duke kaluar edhe liga më të mëdha.
Me këtë, ngarkohej se ka kryer veprën penale “Ndihma në kryerjen e veprës penale Konflikt interesi” nga neni 417, par.1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Mirena ishte arrestuar në dhjetor të vitit të kaluar pas një aksioni të gjerë të Prokurorisë dhe Policisë së Kosovës.
Përpos Mirenës, në aksionin e policisë të zhvilluar më 19 dhjetor të 2024 ishin arrestuar edhe tre zyrtarë të Federatës së Karatesë së Kosovës.
Të dyshuarit në FKK, N.G, F.M dhe I.K dyshoheshin se i kishin shkaktuar dëm buxhetit të MKRS-së në vlerë prej 87 mijë euro.