Deputetët e AAK-së, Besnik Tahiri e Pal Lekaj, kanë takuar udhëheqësit e Odës së Hotelierëve të Kosovës, duke deklaruar se mbyllja e këtij sektori nuk është zgjidhje.
Përmes një postimi në Facebook, deputeti i AAK-së Besnik Tahiri, ka deklaruar se sektori i hotelerisë është dëmtuar nga pandemia dhe se mbyllja e këtij sektori nuk është zgjidhje.
“Gjatë diskutimit me ta vlerësuam se kjo situatë është tepër e ndjeshme për ta, dhe si e tillë e rrezikon tej mase këtë sektor në funksionimin e mëtejmë. Në bazë të gjendjes faktike, shumë lehtë konstatohet se mbyllja nuk është zgjidhje”, ka shkruar Tahiri.
Tahiri thotë se duhet të aplikohen rregullat e njëjta për subjektet e njëjta afariste.
“Kërkojmë që të analizohet dhe vlerësohet aspekti i shëndetit publik dhe të mirës publike. Rekomandojmë që rregullat e njëjta, të aplikohen në subjektet afariste të njëjta. Jo diskriminim, jo standarde të dyfishta!”, ka shkruar Tahiri.