Disa deputetë të Kuvendit të Kosovës gjenden në Iowa të SHBA-së, ku janë pritur nga Sekretari i Shtetit, Paul D. Mate.
Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu ka thënë se me Mate kanë diskutuar për mundësinë e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë orientimi i vetëm gjeopolitik i Kosovës – janë adresa më e sigurt e forcimit të shtetit të Kosovës. Derisa Shteti Iowa është shndërruar në epiqendër e miqësisë ndërmjet popullit amerikan dhe popullit të Kosovës. Sot u pritëm në një takim shumë të ngrohtë nga Sekretari i Shtetit Iowa, Paul D. Pate, me të cilin kemi diskutuar për mundësinë e thellimit të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve tona”, ka njoftuar ajo.
Deliu ka thënë se janë pajtuar për ta rritur bashkëpunimin e gjithmbarshëm ndërmjet dy vendeve, sidomos ndërmjet dy parlamenteve.
“Po ashtu, biseduam edhe për mbështetjen që Iowa mund t‘i japë Kosovës në fushën e bujqësisë, ku ky shtet është lider për përpunimin e produkteve bujqësore. Binjakëzimi ndërmjet Iowa-s dhe Kosovës është reflektim i miqësisë së përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe i lidhjes shpirtërore ndërmjet dy vendeve tona”, thuhet në fund.