Deputeti gjerman: BE-ja t’i heq masat e paarsyeshme ndaj Kosovës, koha të ndëshkohet seriozisht Serbia

Deputeti gjerman: BE-ja t’i heq masat e paarsyeshme ndaj Kosovës, koha të ndëshkohet seriozisht Serbia

Deputeti konservator gjerman nga radhët e CDU-së, Knut Abraham, ka thënë se ka ardhur koha që Bashkimi Evropian t’i heq masat ndëshkuese ndaj Kosovës.

Politikani gjerman konsideron se masat ndëshkuese ndaj Kosovës janë të paarsyeshme dhe kështu i ka bërë thirrje bllokut evropian që t’i heq ato.

“Ka ardhur koha që Bashkimi Evropian t’i largojë masat ndëshkuese ndaj Kosovës, sepse nuk janë të arsyeshme më. Vëmendja duhet të jetë tek ata të cilët haptazi thonë se nuk do ta respektojmë marrëveshjen për normalizimin e raporteve me Kosovën. Blloku evropian duhet të jetë më i hapur më Kosovën, dhe t’i hapë rrugë një procesi më të shpejtë integrues”, u shpreh deputeti gjerman.

Abraham po ashtu ka kërkuar që sa më shpejt të dalin rezultatet e hetimit për sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, ku gjatë një përleshjeje të armatosur me grupin terrorist serb humbi jetën rreshteri policor, Afrim Bunjaku dhe u plagos polici, Alban Rashiti.

Për më tepër ai ka kërkuar vëmendje më e madhe t’i kushtohet Beogradit, për shkak të deklaratave te krerëve serbë që thonë se nuk do ta respektojnë marrëveshjen e Brukselit.

Deputeti gjerman e sheh Serbinë si faktor destabilizues në Rajonin e Ballkanit Perëndimor, teksa thotë që nuk e respekton marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.

Abraham, konsideron se dialogu edhe mund të dështojë tërësisht nëse vazhdohet me qasjen e njëjtë.

Sipas tij ka ardhur koha që të ketë ndëshkime serioze për palën që nuk është e gatshme për dialog.

“Siguria në rajonin e Ballkanit Perëndimor duhet të jetë prioritet mbi prioritetet, sidomos në këtë periudhë kohore. Shtimi i trupave te NATO-s në rajon është gjithmonë një opsion sepse sjell më shumë siguri. Problemi kryesor qëndron tek Serbia, e cila nuk po tregon gatishmëri t’i zbatojë marrëveshjeve të cilat i ka marrë përsipër. Sa kohë që Serbia vepron në këtë mënyrë nuk mund të ketë siguri. Nëse nuk respektohet marrëveshje atëherë nënkupton që dialogu me të vërtetë ka dështuar. Besoj se ka ardhur koha që nëse njëra palë nuk i respekton marrëveshjet atëherë duhet të ketë ndëshkimeserioze”, thotë ai.

Deputeti konservator ka thënë se skenarë të ngjashëm si në Banjskë mund të përsëriten, derisa politikanët në Serbi s’e pranojnë ekzistencën e Kosovës.

“Skenarë të rrezikshëm si ajo në Banjskë mund të përsëriten derisa politikanët në Serbi nuk e pranojnë ekzistencën e Kosovës. Nëse vazhdon kjo frymë në Serbi, radikalizmi nuk do të largohet sepse ata do ta justifikojnë dhunën. Duhet që sa ma parë të dalin rezultatet e investigimeve për rastin në Banjska. Duhet të kuptojmë në detaje se si ndodhi ajo ngjarje në veriun e Kosovës, situata me të vërtetë ishte shumë serioze”, deklaroi Abraham në një intervistë për tëvë1.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës ishte njoftuar për masat e BE-së më 28 qershor dhe ato hynë në fillim të korrikut. Ato u vendosën për shkak të mospërmbushjes së kushteve të BE-së dhe Shteteve të Bashkuara për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës. Tensionet në këtë zonë të banuar me shumicë serbe u rritën në fund të majit.

Masat ndëshkuese përfshijnë: suspendimin e përkohshëm të punës së trupave të krijuara në bazë të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, mosftesën e Kosovës në takime të nivelit të lartë dhe suspendimin e vizitave bilaterale, përveç atyre që fokusohen në adresimin e krizës në veri të Kosovës në kuadër të kornizës së dialogut të lehtësuar nga BE-ja.

Po ashtu masat përfshijnë edhe ndaljen e programimit të fondeve për Kosovën nga IPA 2024 (Instrumentet e Para-Anëtarësimit). Propozimet e Kosovës në kuadër të Kornizës së Investimeve në Ballkanin Perëndimor nuk janë dorëzuar për shqyrtim nga bordi më 29 dhe 30 qershor.

Related Articles