Deputeti i LVV-së: Sistemi ETIAS nuk ka lidhje specifike me Kosovën dhe aplikohet nga 63 shtete

Deputeti i LVV-së: Sistemi ETIAS nuk ka lidhje specifike me Kosovën dhe aplikohet nga 63 shtete

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Driton Hyseni, në Tëvë1 foli për procesin e Liberalizimit të vizave për Kosovën.

Në media u raportua se Franca në takimin e sotëm në Këshillin e Bashkimit Evropian ka propozuar që Kosovës t’i vihet kusht që të bëhet pjesë e sistemit ETIAS si parakusht për liberalizim të vizave.

Hyseni tha se ky sistem nuk është kusht vetëm për Kosovën, porse është i aplikueshëm për rreth 63 shtete.

“Ta keni parasysh një gjë që nuk lidhet kjo vetëm me Kosovën, në sistemin ETIAS i cili do të jetë një sistem për të mbledhur të dhënat dhe për të autorizuar udhëtimet e qytetarëve në zonën Schengen, do të jetë i aplikueshëm për rreth 63 shtete…. Do të thotë kemi të bëjmë e një sistem i cili do të shfrytëzohet nga shumë vende në botë përfshirë edhe ato në Lindjen e Mesme edhe këto që kanë marrë liberalizimin vizave, nuk është duke u lidhur diçka specifike me Kosovën. Ky do të jetë sistem ku të gjithë do t’i vendosin të dhënat dhe të gjithëve do t’u konfirmohet autorizimi për udhëtim”, tha ai.

Tutje Deputeti i VV-së tha se vonimi i liberalizimit të vizave është një padrejtësi e madhe që është duke iu bërë qytetarëve të Kosovës, pasi që sipas tij, Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet për liberalizim.

“Është konstatuar që të gjitha kriteret të cilat iu kanë parashtruar Kosovës që nga 2012 e këndej për të përmbushur për të udhëtuar qytetarët lirshëm në Evropë janë përmbushur. Ne jemi duke e pasur një vonesë shtesë të cilën konsideroj që është e padrejtë duke iu bërë qytetarët të Kosovës përderisa janë përmbushur të gjitha kriteret”, tha Hyseni.

Ky propozim besohet se është bërë nga zyrtarët francezë, dhe është mbështetur prej të paktën katër shteteve tjera: Suedisë, Belgjikës, Holandës dhe Spanjës.

ETIAS është sistem evropian për autorizim dhe informacione rreth udhëtimit.

Related Articles