Deputeti i Kuvendit të Serbisë, Aleksandar Jovanoviq – Çuta, duke komentuar kthimin e përfaqësuesve të Listës Serbe në Kuvendin e Kosovës, ka thënë se ky është një cirk pas së cilit qëndron presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Ai ka thënë se i pari i shtetit serb nuk dëshiron t’i zgjidhë problemet, por të vazhdojë të flas për gjendje të jashtëzakonshme dhe destabilitet, raporton nova.
Deputetët e rinj nga radhët e Listës Serbe kanë ardhur pa paralajmërim të enjten në Kuvendin e Kosovës dhe kanë dhënë betimin se do ta mbrojte sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit.
“Cirku vazhdon, shfaqja e Vuçiqit duhet të vazhdojë. Ideja nuk është që të sqarohen gjërat, të zgjidhet diçka, por vetëm të vazhdohet shou, të flasim sërish për një lloj gjendje të jashtëzakonshme dhe destabilitet”, tha fillimisht ai.
“Vuçiq duhet ta shpjegojë se çfarë do të thotë kthimi i Listës Serbe në Parlamentin e Kosovës, ndërsa ata disa mijëra njerëz që dhanë dorëheqje me urdhër të Beogradit mbetën pa asgjë. Ata njerëz u mashtruan dhe u tallën gjersa u lanë në baltë. Janë urdhëruar nga kabineti i Vuçiqit të japin dorëheqje, tani po i zëvendësojnë me njerëz të tjerë. Vuçiq po luan me jetën e njerëzve, si të serbëve në Kosovë, ashtu edhe të të gjithë qytetarëve të Serbisë”, pohoi deputeti.
Kujtojmë se deputetët e Listës Serbe ditë më parë kanë dhënë dorëheqje nga Kuvendi i Kosovës si dhe kabineti qeveritar.
Ndryshe, serbët kanë braktisur edhe institucionet e tjera të Kosovës si policia dhe gjykatat.