Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Jahja Kokaj, ka shprehur brengën e tij për humbjen e mijëra orëve mësimore të nxënësve, si pasojë e grevës në arsim.
Në debatin parlamentar për grevën në Kuvend, Kokaj tha se për shkak të pasojave që do t’i kenë në të ardhmen fëmijët për shkak të humbjeve mësimore, atë nuk e merr gjumi natën.
“Jam shumë i brengosur që fëmijët tanë prej moshës 5 deri në 20-vjeç, se tri javë janë të ndarë nga bankat shkollore. Kjo do të thotë se ato mijëra orë të humbura, gjenerojnë një cilësi dhe vlerë të madhe që unë jam i trishtuar, të them të drejtën s’më merr gjumi natën kur e di konsekuencën që do të kemi në ardhmërinë e fëmijëve. Prandaj dua të ndaj këtë pjesë, meqenëse është e bazuar në shkencë, dua të ndaj një brengosje të madhe. Kur ka qenë mirë të ndërpriten grevat? Dje. Meqenëse dje nuk mund të arrijmë, pasi nuk mundemi të lëvizim me shpejtësi të dritës, atëherë është mirë që ta ndërpremë sot pasdite. Prandaj me gjitha mundësitë e mia kam lutur në çfarëdo forme udhëheqësit grevistë që të ndërpritet greva”, tha ai.
Mësimdhënësit e të gjitha institucioneve publike në Kosovë janë në grevë, me kërkesën për mbështetje financiare prej 100 eurosh në muaj. Përjashtim bëjnë vetëm disa mësimdhënës që individualisht kanë nisur t’i mbajnë orët. Në grevë, nga 25 gushti, janë edhe punëtorët e administratës publike, si dhe shërbyesit civilë në institucione lokale dhe qendrore.