Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu e ka “përgëzuar” kryeministrin Albin Kurti për fleksibilitetin e treguar karshi rikonfirmimit të marrëveshjeve të dakorduara mes Kosovës dhe Serbisë.
Përmes një postimi në Facebook, Deliu ka thënë se të njëjtat marrëveshje, Kurti i kishte shndërruar në kauzë për pushtet duke mos kursyer mjet e metodë sulmi ndaj institucioneve shtetërore të mëparshme.
Ajo ka thënë se kjo tregon shumë se ku qëndron lojaliteti kompromisës i tij.
“Kryeministri Kurti po tregohet jashtëzakonisht fleksibil në rikonfirmimin e marrëveshjeve të dakorduara mes Kosovës e Serbisë gjatë qeverisjeve të kaluara, të cilat i kishte shndërruar në kauzë për pushtet pa zgjedh mjet e metodë sulmi ndaj institucioneve shtetërore”, ka shkruar Deliu.
“Por, vazhdon të mbetet i ngurt ndaj çdo propozimi argumentues nga opozita për tejkalimin e krizave të brendshme ekonomike e sociale. Kjo tregon shumë se ku qëndron lojaliteti kompromisës i tij!”, ka shtuar ajo.