​Deri më 11 dhjetor, partitë duhet t’i dorëzojnë listat e kandidatëve për deputetë KQZ: S’do të ketë afat shtesë

​Deri më 11 dhjetor, partitë duhet t’i dorëzojnë listat e kandidatëve për deputetë KQZ: S’do të ketë afat shtesë

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka thënë se deri më 11 dhjetor subjektet politike kanë kohë që t’i dorëzojnë kërkesat për certifikim dhe listat me kandidatët për deputetë.

Elezi ka shtuar se është detyrim ligjor që aplikimet të dërgohet 60 ditë para zgjedhjeve.

Ai bëri të ditur se ky afat nuk do të ndryshohet.

“Është detyrim ligjor për subjektet politike që aplikimet e tyre për certifikim t’i dorëzojnë deri 60 ditë para zgjedhjeve. Pra, afati i fundit i vendosur nga KQZ-së për aplikim të subjekteve politike dhe dorëzimin e listës së kandidatëve për deputetë është në përputhje me ligjin dhe si i tillë nuk mund të ndryshohet. Deri më 11 dhjetor 2024, në orën 16:00, subjektet politike (partitë politike, koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur) duhet të dorëzojnë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve kërkesat e tyre për certifikim për pjesëmarrje në Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës që do të mbahen më 9 shkurt 2025. Gjithashtu, gjatë kësaj periudhe, subjektet politike duhet të dorëzojnë edhe listat e tyre me emrat të kandidatëve për deputetë. Kjo periudhë ka filluar më 1 shtator, por mund t’iu konfirmoj se deri më tani nuk kemi pranuar ndonjë aplikim nga ana e subjekteve politike”, ka deklaruar Elezi për Express.

KQZ së fundmi ka funksionalizuar platformën elektronike për partitë politike që të paraqesin aplikimet e tyre online për certifikim dhe të listës së kandidatëve për deputetë për Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës.

“Me qëllim të lehtësimit të procesit të aplikimit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka funksionalizuar platformën elektronike https://certifikimi.kqz-ks.org/ e cila do t’iu shërbejë subjekteve politike për të paraqitur aplikimin e tyre online për certifikim dhe të listës së kandidatëve për deputetë për Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës. Të gjitha partive politike të regjistruara aktualisht në Republikën e Kosovës dhe koalicioneve të deklaruara, KQZ, përmes Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike (ZRCKFSP) iu ka krijuar dhe dërguar ‘userët’, përmes të cilëve mund të qasen në platformë dhe të ngarkojnë aplikimin për certifikim dhe listën e kandidatëve për deputetë. Gjithashtu, KQZ, përmes Zyrës, do të krijojë ‘userët’ edhe për të gjitha subjektet politike (iniciativat dhe kandidatët e pauarur) që kërkojnë të aplikojnë për certifikim për pjesëmarrje në zgjedhje.”, ka deklaruar Elezi.

Related Articles