Nga momenti kur Qeveria e Kosovës mori vendimin për zgjatjen e afatit për regjistrimin e automjeteve me targat ilegale serbe, deri më sot janë 645 vetura të qytetarëve të cilët kanë respektuar këtë vendim për konvertimin e targave në RKS.
Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Policisë për Rajonin e Veriut, Veton Elshani theksoi se interesimi është gjithnjë në rritje e sipër.
“Qytetarët kanë filluar me të madhe të regjistrojnë automjetet e tyre. Sot i kishim 174 automjete të cilat janë regjistruar në RKS, ndërkaq totali që nga fillimi i nëntorit e deri tani është 645 automjete”, ka thënë Elshani.
Elashi, gjatë bisedës në transmetuesin publik ka thënë se përveç për të shtunën e ardhshme, e cila është ditë pune për shkak të procesit, është duke u diskutuar që edhe e diela të jetë në dispozicion të qytetarëve për ndërrim targash.
Sipas vendimit të Qeverisë së Kosovës në mbledhjen e 28 tetorit, afati për regjistrimin e automjeteve me targa ilegale serbe është shtyrë deri më 1 dhjetor.