Roja që ishte bërë prokuror në Speciale, kishte kërcënuar fizikisht ish-krerët e UÇK-së në Hagë, sipas dëshmisë së ish-presidentit Hashim Thaçi.
Një gardian me emrin Jogn Devaney që ndodhej në Qendrën e Paraburgimit në Hagë, ku ish-krerët e UÇK-së po qëndrojnë prej pesë vitesh, del se kishte kercenuar fizikisht ish-krerët e UÇK-së në Hagë – sipas dokumenteve të dëshmisë së Hashim Thaçit.
Në dëshminë e tij, në seancën e 27 marsit, ish-Presidenti Hashim Thaçi kishte rrëfyer këtë rast si dhe kishte krahasuar Specialen me regjimin e Putinit.
Hashim Thaçi: Kjo Gjykatë është e Kosovës. E ka themelu Kuvendi i Kosovës me punu sipas Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës dhe besoj që kështu dhe do të përmbyllet ky proces. Por në të njëjtën kohë shqetësimet që i kemi kaluar në këto katër vite e gjysmë këtu, me të njëjtën periudhë kohore, në të cilën sot ballafaqohemi me Prokurorin përballë nesh, dëshiroj të shpreh shqetësime dhe të jeni të informuar dhe ju si Kryegjyqtar dhe në të njëjtën kohë si Panel.
Hashim Thaçi: U çuditëm sot shumë kur dhe u befasova kur sot përballë nesh u shfaq zotëriu në fjalë. Emrin nuk ia di as mbiemrin dhe s’është me rëndësi, që në qendrën e paraburgimit kur kemi ardhur fillimisht dhe për disa vite, është paraqitur si roje burgu, pastaj si hetues pranë qendrës së paraburgimit, pastaj si shef — si zëvendësshef i qendrës së paraburgimit dhe nganjëherë dhe shef i qendrës së paraburgimit. Për të gjitha këto që flas ekzistojnë faktet dhe dëshmitarë. I nderuar Gjykatës, zotëriu në fjalë – z. Prokuror sot, dje roje burgu – [REDAKTUAR]
Hashim Thaçi: E ne, të katër që jemi të akuzuar në procesin numër 6, as cigare s’përdorim. Okej. Personalisht ka kryer kontrolle, Prokurori aktual [REDAKTUAR] Në raste të caktuara, i nderuari Kryetar i Gjykatës, të nderuar Panel Gjykatës, ka kryer fyerje dhe kërcënime dhe fizike ndaj ne të akuzuarve. Na ka fyer dhe ka kryer edhe kërcënime fizike Prokurori që është sot përballë nesh. Nga praktikat e zotëriut, [REDAKTUAR], [REDAKTUAR] dhe të tjerëve edhe ma gjatë.
Gjykata i redaktoi krejt keqtrajtimet, por jo edhe një krahasim që e barazon Specialen me regjimin e Rusisë së Vladimir Putinit, raporton Nacionale.
Hashim Thaçi: Edhe kjo praktikë mu më shqetëson kur sot e shoh këtë zotëri, dje paraqitej si roje burgu dhe sot Prokuror, një praktikë e tillë as ndaj disidentit rus Navalny nuk është praktiku ku mbas 20 ditësh iu kanë ndalu, kanë reagu të gjithë.
Ish-presidenti vë në pikëpyetje sistemin e shpejtë të gradimit brenda ZPS-së.
Hashim Thaçi: Dhe unë sot befasohem dhe çuditem kur shoh këtë. Ndoshta është në procedurë speciale e gradimit në SPO, por nuk ndihemi rehat dhe nuk ndihemi të respektuar dhe të trajtuar denjësisht as në kuptimin legal, jo drejt, kur shohim përballë një njeri që dje paraqitej roje burgu dhe sot është prokuror në Dhomat e Specializuara të Kosovës.
Atë ditë Prokurori e kishte pranuar angazhimin e tij të mëparshëm.
Kjo është biseda e zhvilluar mes tij dhe Smith.
John Devaney, prokuror: I nderuar Gjykatës, është e saktë që unë kam punuar në njësinë e menaxhimit të objektit të paraburgimit para disa vjetësh. Nuk më kujtohet që t’i kem [REDAKTUAR].
Charles Smith, kryetar i Trupit Gjykues: Sa vjet ka?
John Devaney, prokuror: E kam shkëputur marrëdhënien e punës prej aty në fund të vitit 2022. Dhe kam dhe një [REDAKTUAR] e cila është e nënshkruar lidhur me këtë.
Charles Smith, kryetar i Trupit Gjykues: Problemi është që nuk duan që të vijojnë me procesin. Kështu që do t’ju kërkoj që t’i përgjigjeni kësaj.
John Devaney, prokuror: Një çast, i nderuar Gjykatës. [Përfaqësuesit e Prokurorisë këshillohen]. I nderuar Gjykatës, nuk kam argumente materiale për të bërë. Do të them vetëm që – mund të them vetëm që znj. Iodice është e gatshme që të marrë rolin tim për të trajtuar ndonjë shqetësim të Mbrojtjes.
Në seancën e 27 marsit të vitit 2025, një prokuror i ri i Prokurorisë së Specializuar në Hagë, u shfaq për herën e parë në seancë. Aty, planifikohej të dëshmonte dëshmitari i fundit në rastin e krerëve të UÇK-së.
Pavarësisht se ish-krerët e UÇK-së ishin në seancë me video-lidhje, me ta parë këtë prokuror në transmetim, Hashim Thaçi nuk u përmbajt. Seanca ishte e mbyllur, dhe për orë të tëra pati diskutime të ashpra.
Hashim Thaçi kishte alarmuar se personi që ishte ulur në anën e Prokurorisë së Hagës, kishte qenë punëtor në Qendrën e Paraburgimit ku mbahen ish-krerët e UÇK-së. I kishte ruajtur ata, kishte pasur qasje në biseda e dokumentacione konfidenciale. Madje, ishte i përfshirë në rastin e Prokurorisë për pengim të drejtësisë, ku Prokuroria kishte incizuar bisedat në Qendrën e Paraburgimit, raporton gazeta Nacionale.
Kjo situatë alarmoi mbrojtjen e krerëve të UÇK-së të cilët kërkuan të gjitha dokumentacionet për punësimin ekëtij zyrtari, transkriptet dhe detajet e tjera. Megjithatë, gjyqtarëve të Gjykatës Speciale kjo nuk iu duk fort shqetësuese, pavarësisht dyshimeve të mëdha për konflikt të interesit.
“Mbrojtja pohon se: (i) ndërsa punonte në NJQ, [I REDAKTUAR] kishte kontakte të rregullta me katër të Akuzuarit, përmes të cilave ai pati mundësinë të mësonte për shqetësimet dhe preokupimet e tyre të përditshme;24 (ii) ai ishte i përfshirë në [I REDAKTUAR];25 (iii) informacioni i zbuluar nga ZPS dhe Regjistri në përgjigje të kërkesave të Mbrojtjes nuk i përgjigjet kërkesës së Mbrojtjes në një numër aspektesh të rëndësishme, duke përfshirë natyrën e punës së tij dhe përfshirjen e tij me [I REDAKTUAR]”, thuhet në një vendim të Speciales.
Megjithatë, mbrojtja ka alarmuar se të gjitha kërkesat e tyre nuk janë plotësuar, dhe nuk kanë qasje në dokumente për të vërtetuar nëse ka pasur konflikt të interesit apo jo,
Prokuroria u përgjigj duke theksuar se ky person nuk ka pasur qasje në informacione specifike të ndishme, të cilat mund të ndikojnë në rastin e pengimit të drejtësisë, apo në këtë rast.
“Regjistruesi përcaktoi qartë se [REDAKTUAR] nuk kishte qasje në asnjë material të privilegjuar, qoftë dixhital apo fizik, dhe kjo është në përputhje me informacionin në dispozicion të ZPS-së;33 (iii) zbulimi nuk është i justifikuar në rrethana kur baza e supozuar për të është kundërshtuar shprehimisht;34 (iv) në masën që Mbrojtja po përpiqet të zgjerojë bazën e saj për të aksesuar informacionin jo-publik, kjo nuk përmbush testin e zbatueshëm për një konflikt interesi dhe injoron faktin se [REDAKTUAR] është i lidhur nga kushtet e një marrëveshjeje të rreptë moszbulimi (“NDA”) e cila e ndalon atë të zbulojë, ndajë ose përdorë çdo informacion jo-publik të fituar gjatë punësimit të tij të mëparshëm”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë.
Megjithatë, sikur edhe në 99% të rasteve të tjera, gjyqtarët ishin në anën e Prokurorisë së Specializuar.
Ata theksuan se kërkesat e mbrojtjes për të pasur qasje në dokumente të tilla, po përdoret si një peshkim, sa për të nxjerrë disa informacione, të cilat nuk janë të rëndësishme, Si rezultat, gjyqtarët e rrëzuan kërkesën.
“Paneli konsideron se kërkesat e Mbrojtjes për informacion dhe kërkesa aktuale po përdoren pjesërisht si një ekspeditë peshkimi që synon të nxjerrë informacion që Mbrojtja shpreson se SPO (dhe/ose Regjistri) mund të ketë dhe mund të mbështesë pretendimin e Mbrojtjes për një konflikt interesi”, thuhet në vendim.
Pra, një prokuror i Prokurorisë së Specializuar së Hagës, kishte punuar si gardian apo zyrtar tjetër në Qendrën e Paraburgimit. Por, në aspektin juridik, gjyqtarët rrëzuan kërkesën e mbrojtjes, dhe një ankesë e tillë nuk shkoi përpara.