Dëshmitari i tetë me kodin 04323 do të fillojë dëshminë e tij të hënën, në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK), në Hagë, në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Paraprakisht, nga ana e trupit gjykues janë trajtuar tri çështje, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Charles Smith bëri të ditur se kanë vendosur që të ndryshojë urdhrin me gojë të 23 marsit me të cilin kishin pranuar një dokument në tërësinë e tij, duke e pranuar tani vetëm në pjesët përkatëse që do të përdor mbrojtja e Veselit.
Kjo është vendosur në bazë të parashtrimeve të mbrojtjes së Veselit, përmbushjes së kritereve të rregullës 154 dhe që nuk ka pasur kundërshtime nga palët.
Çështja e dytë kishte të bënte me kërkesën e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS-së) për riklasifikim të disa dokumenteve.
Gjykatësi pyeti mbrojtjes dhe se askush nuk e kundërshtoi kërkesën për riklasifikim të ZPS-së.
Kurse, lidhur me çështjen e tretë e cila ishte mocioni i ZPS-së për të kufizuar praninë në sallën e gjyqit, trupi gjykues vendosi që mbrojtja të përgjigjet lidhur me këtë më së largu deri në fund të orarit të punës më 15 qershor dhe nëse ZPS ka kundër-përgjigje, këtë ta parashtrojë deri në fund të orarit më 16 qershor.
Seanca po vazhdon në sesion privat.
Ndryshe, në seancën e sotme të pranishëm në sallë të gjykimit janë të gjithë të akuzuarit.
Gjatë muajit prill ka filluar gjykimi derisa në seancën e 3 prillit, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) dhe mbrojtësi i viktimave kanë paraqitur deklarimet hyrëse dhe pas leximit të aktakuzës së ndryshuar nga ana e ZPS-së, ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputeti Rexhep Selimi, u deklaruan të pafajshëm për veprat penale që iu vihen barrë.
Më 4 prill mbrojtja e Thaçit, Veselit dhe Selimit kanë dhënë fjalën hyrëse derisa më 5 prill mbrojtja e Krasniqit ka dhënë fjalën hyrëse.
Më 11 prill ka filluar paraqitja e provave të Prokurorisë ku dëshmitarja e parë e mbrojtur e Prokurorisë, ka dhënë dëshminë e saj më 11 prill, 12 prill, 13 prill dhe më 17 prill, raporton Betimi për drejtësi.
Më 17 prill ka filluar dëgjimi i dëshmitarit të dytë, po ashtu i mbrojtur, i cili ka vazhduar dhënien e dëshmisë edhe më 18 prill, 19 prill dhe 20 prill, ku ka përfunduar dhënien e dëshmisë edhe dëshmitari i tretë, kurse më 10 maj ka filluar dhënien e dëshmisë dëshmitari i katërt, dëshmia e të cilit përfundoi më 17 maj.
Tutje, dëshmitari i pestë ka filluar dëshminë më 17 maj dhe e përfundoi më 22 maj, ku filloi dëshminë dëshmitari i gjashtë i cili përfundoi dëshminë më 23 maj, në të njëjtën ditë me dëshmitarin e shtatë.
Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.
Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.
Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.