86-vjeçari Daut Elshani ka dëshmuar në procesin gjyqësor ndaj të akuzuarit për krime lufte, Ekrem Bajroviq. Ai tha se e kishte parë Bajroviqin në oborrin e shtëpisë në Saradran, ku forcat serbe ia vranë tre djemtë, vëllanë dhe tre familjarë të tjerë. Dëshmitari Elshani tregoi se si kishte arritur t’i shihte edhe torturat që iu nënshtruan për 40 minuta viktimat, përpara se të ekzekutoheshin
Dëshmitari Daut Elshani ka thënë të enjten para trupit gjykues se të akuzuarin për krime lufte, Ekrem Bajroviq, e pa në oborrin e Demë Zeqirit, ku iu vranë nëntë familjarë, në ditën e Masakrës së Saradranit.
Aktakuza e bën përgjegjës për këtë masakër edhe Bajroviqin. Bazuar në të, më 8 maj 1999 ai me pjesëtarë të tjerë të policisë serbe kanë kryer krime lufte, kur pas plaçkitjes së të zhvendosurve në fshatin Saradran të Istogut i nxorën burrat civilë shqiptarë nga kolona dhe në shtëpinë e Demë Zeqirit i keqtrajtuan e më pas qëlluan në drejtim të 16 personave, 15 nga të cilët i vranë.
Në atë oborr u vranë tre djemtë e dëshmitarit: Muhajdini, Shemsedini dhe Nexhmedini, i vëllai Avdyli, si dhe familjarët e tjerë, Hasani, Nimani dhe Muharremi.
Dëshmitari Elshani, tash 86-vjeçar, tha se i akuzuari Bajroviq ishte i armatosur.
“Atë ditë, po, e kom pa, kur kam dalë që m’i kanë marrë djemtë e mi. Kanë shti mrena, zotëri gjykatës”, ka thënë ai, para trupit gjykues. “Në derë kom kqyr. U shihke ky shoqi (i akuzuari Bajroviq v.j.) i armatosun deri në dhamb. Edhe i kam pa tu i rrehë. Sillshin këta paramilitartë. Ky shkojke herë te ata, e herë te ata (tjerët v.j.). Atë e kom pa n’atë dërrasën, përmes derës me dërrasë. 40 minuta kam nejt aty, zotëri gjykatës”.
Gjatë dëshmisë në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Elshani tha se i akuzuari Bajroviq, krahas kohës së keqtrajtimit të civilëve, ishte prezent edhe kur iu vranë familjarët.
“Aty janë ni krismat e armëve: ta-ta-ta. Edhe u ni viktima. E kam thanë atë ditë e edhe sot po e tham: prej toke e n’qiell brima e piskama e tyne. Qe ku tek o ky (i akuzuari v.j.). Le të thotë që s’është ashtu. Qashtu u kanë”, ka thënë dëshmitari Elshani.
Ai tha se gjatë vrasjeve, prezentë ishin edhe policët serbë të fshatit Gurrakoc, e edhe paramilitarët.
Në shqyrtimin gjyqësor të mbajtur të enjten kanë dëshmuar edhe Ismet Kikaj dhe Bajram Dautaj. Të dy thanë se policët e Gurrakocit me urdhër të komandantit të tyre, Milosh Stojkoviq, i nxorën nga shtëpitë e tyre nën kërcënimin se do t’i vrisnin ata apo familjarët e tyre, si dhe i detyruan t’i rivarrosnin në fshatin Saradran kufomat që ishin të vendosura në një varrezë masive.
I akuzuari Ekrem Bajroviq është shtetas i Kosovës dhe i Malit të Zi dhe ka kombësi boshnjake. Ai akuzohet për pjesëmarrje në arrestim, kidnapim dhe keqtrajtim të 84 civilëve shqiptarë, si dhe për përfshirje në vrasje, keqtrajtim, torturë e plaçkitje të të zhvendosurve në Saradran, ku u vranë mbi 150 civilë shqiptarë.