Në Gjykatën Speciale në Hagë ka vazhduar gjykimi ndaj eprorit të UÇK-së, Salih Mustafa.
Edhe sot në seancën gjyqësore është paraqitur dëshmitari i pestë në rastin kundër Mustafës.
Dëshmitari sot është marrë në pyetje nga trupi gjykues lidhur me bazën e “Skifterëve” dhe për disa foto grafi të pjesëtarëve të kësaj njësie në Zllash.
Ai në këto fotografi ka identifikuar edhe Salih Mustafën i njohur si komandant Cali.
Pjesë nga dëshmia:
Gjykatësja: A e dini nëse e kanë pasur ndonjë emër tjetër Skifterët?
Dëshmitari: Jo nuk e di
Gjykatësja: Po tani, a e dini nëse e kanë pasur ndonjë emër tjetër ata?
Dëshmitari: Po
Gjykatësja: Cili është ky emër?
Dëshmitari: BIA
Gjykatësja: Nëse do ta përmbledh ajo çfarë po thua ti është që gjatë luftës ti nuk e dije që “Skifterët” quheshin ndryshe edhe BIA?
Përgjigja e paqartë e dëshmitarit.
Gjykatësja: Kur e ke mësuar ti emrin BIA?
Dëshmitari: Pas lufte.
Gjykatësja: Në çfarë konteksti e ke mësuar këtë emër?
Dëshmitari: Nuk e di.
Gjykatësja: A e di ti se çfarë domethënie ka shkurtimi BIA?
Përgjigja e paqartë e dëshmitarit.
Gjykatësja: Dje ti na the që ke shkuar njëherë në bazën e “Skifterëve”. Dua të të pyes ti a je futur brenda në bazën e “Skifterëve”, apo ke qëndruar jashtë?
Dëshmitari: Jashtë kam qëndruar.
Gjykatësja: Nëse thoni kam qëndruar jashtë çfarë do të thuash me këtë?
Dëshmitari: Nuk kemi hyrë në objekt. Vetëm e kemi lanë ushqimin aty e ka marrë një ushtar dhe ne e kemi vazhduar rrugën.
Gjykatësja: Nëse unë përdorë fjalën baza e “Skifterëve”, a është term i duhur ky, sepse ti the që bëhet fjalë për një shtëpi?
Dëshmitari: Sa më kujtohet mua një shtëpi ka qenë.
Gjykatësja: A e di ti nëse forcat serbe kanë arritur në bazën e “Skifterëve”, gjatë ofensivës serbe?
Dëshmitari: Po mendoj që …. kanë hyrë forcat serbe.
Gjykatësja: Po në fakt këtë e kemi thënë edhe në intervistën e ZPS-së. Pyetja ime i referohet bazës së “Skifterëve”, apo shtëpisë ku e kishin bazën “Skifterët”. A e di ti në qoftë se forcat serbe kanë shkuar deri tek baza e “Skifterëve”?
Dëshmitari: Nuk e di nëse kanë hyrë në atë pjesën atje. Nuk kanë qenë në atë zonë.
Gjykatësja: A mund të më thoni se kush është Cali në këtë fotografi?
Dëshmitari: Ai që është ulur.
Gjykatësja: Janë dy persona ulur. Çfarë ngjyre ka kapela që ka vënë personi?
Dëshmitari: Të kuqe.
Gjykatësja: A e njihni një ose më shumë persona nga kjo fotografi?
Dëshmitari: Vetëm komandant Calin.
Gjykatësja: A mund të na e shpjegosh se ku është ky person në fotografi?
Përgjigja e dëshmitarit e paqartë.
Gjykatësja: A ka kapele personi?
Përgjigja e paqartë e dëshmitarit.