Dëshmitari i katërt me radhe në rastin e Salih Mustafës është deklaruar sot lidhur me ndalimin që i ishte bërë atij në Zllash, raporton Gazeta “Enigma”.
Ai duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit të specializuar në Gjykatën Speciale në Hagë tha se e ka marr vesh që ishte në Zllash nga njerëzit që ishin aty.
“E mora vesh nga njerëzit që ishin dhe që kishin qëndruar në atë vend”, tha ai.
Dëshmitari u pyet edhe nëse personat që e morën atë mbanin armë. Ai tha se nuk ka parë asgjë, teksa shtoi se pa që personat që e morën kishin të veshur uniformë të UÇK-së.
“Nuk e di s’kam pa sen. Me siguri brezit i kanë pas, si kam parë. Si zakonisht të gjithë që i kanë pasur rrobat e UÇK-së, shenjat e flamurit, s’ka pas diçka tjetër”, deklaroi më tutje ai.
Ai foli edhe për shtëpinë në të cilën pretendon se u mbajt në Zllash. Ai tha se e futën në një ahur së bashku me katër persona, teksa pohoi se i kanë ushqyer mirë duke pasur parasysh kohën e luftës.
“Ishte një shtëpi, dykatëshe. Duhej të sillej nga oborri me ra poshtë dhe poshtë asaj shtëpie ishte një derë e vjetër, u hap dera dhe unë hyra brenda, ahuri nuk ishte shumë i vogël, por as nuk ishte shumë i madhë. Aty qëndronin kafshët. Kishte një dritare të vogël. Aty kanë qenë edhe katër njerëz të tjerë. I kam gjet aty. Dy herë në ditë na kanë sjell bukë e ujë sa kemi dashtë. Ushqimi ka qenë i mjaftueshëm duke pasur parasysh kohën e luftës. Atë ushqim që e kanë ngrënë vet na e kanë pru edhe neve aty”, deklaroi më tutje ai.
Teksa u pyet për trajtimin që u është bërë në atë ahur, dëshmitari tha se kanë qenë çnjerëzore.
“Kanë qenë çnjerëzore, por individi kur hynë aty brenda nuk e ka më ndjenjën e njeriut, por barazohet me kafshën. Nuk di si mundem me përshkru kur papritmazi, kur se pret, gjendesh në një ahur që se ke parë as në ëndërr asnjëherë në jetë”, deklaroi ai./Gazeta Enigma.