Dëshmitari Daut Elshani të enjten ka thënë para Gjykatës Themelore në Prishtinë se i akuzuari Ekrem Bajroviq ishte në oborrin e Demë Zeqirit ku ju vranë tre djem në ditën e masakrës së Saradranit. Dëshmitari ka thënë se i pa disa prej ngjarjeve përmes derës me dërrasa të hapura.
Sipas dëshmitarit, Bajroviqi ishte aty. Tha se nuk e kishte parë Bajroviqin duke e rrahur dikë por duke u endur prej njërit grup të policëve të MUP-it serb te tjetri teksa ata i rrihnin të tjerët.
“Krejt stacioni i policisë i Gurrakocit ka qenë aty”, tha dëshmitari.
83-vjeçari Daut Elshani ka thënë se e pa të akuzuarin Bajroviq të armatosur në vendin e ku u vranë familjarët e tij.
“Ka qenë i armatosur, ka qenë në mbrojtje të tyre”, tha dëshmitari.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të avokatit Lubomir Pantoviq, ai tha se oborri kishte tri dyer. Dëshmitari tha se nuk e di se si u nxor kushëriri i tij Ahmet Elshani prej oborrit ku u kryen vrasjet, por beson se e ka nxjerrë pikërisht Bajroviqi “meqë Ahmeti e kishte dhëndër Bajroviqin”, raporton Koha.
Ekrem Bajroviq akuzohet për përfshirje në vrasje, keqtrajtim, torturë e plaçkitje të refugjatëve në Saradran më 8 maj 1999, ku u vranë mbi 150 civilë shqiptarë.
Prokuroria e ka akuzuar atë edhe për pjesëmarrje në arrestim, kidnapim dhe keqtrajtim të 84 civilëve shqiptarë më 7 maj 1999 në Gurrakoc.