Asistentja teknike e OVL UÇK-së, Aida Miftari, sot është paraqitur si dëshmitare para Gjykatës Speciale të Hagës në seancën e radhës së ish-kryetarit të kësaj organizate, Hysni Gucatit, dhe ish-nënkryetarit, Nasim Haradinaj.
Ajo para trupit gjykues në dëshminë e saj ka folur për momentet kur në zyrat e OVL UÇK-së ishin dërguar disa pako për të cilat thuhej se ishin dokumente të Speciales.
Miftari tregoi se pakoja me dokumente për herë të parë ishte dërguar më 7 shtator rreth orës 10:00 të mëngjesit në zyrën e saj.
Ajo tha se e kishte parë një njeri të panjohur në korridor të cilit nuk mundi t’ia dallonte fytyrën, dhe se ai e kishte lënë pakon duke i thënë që “Jepja atij që del në televizor”.
“Isha e ulur pranë tavolinës sime në zyrë dhe e pash duke ardhur në korridor atë person. Kur hyri në zyrat tona në dorë e pati një paketë. Hyri në zyrën time e lëshoi paketën mbi një tavolinë të vogël, dhe tha jepja atij që flet në televizor. U ngrita nga karrigja ime dhe e pyeta se kush ishte, por ai eci. Nuk kam bërë ndonjë përpjekje për ta ndjekur isha e frikësuar se mos kishte ndonjë bombë dhe mund të shpërthente”.
“Pastaj, shkova në zyrën e kryetarit Hysni Gucatit, aty ishte edhe Nasim Haradinaj, Faton Klinaku dhe Çel Gashi. Aty u drejtova të gjithëve dhe u tregova. Atë më pyetën se kush ishte unë ju thash një person që i kishte rrobat me ngjyrë të mbylltë, ishte e pamundur t’i shihja tiparet e fytyrës kishte maskë mjekësore, mbante kapelë besjbolli dhe syze”.
“Më pas ata të katër erdhën në zyrën time dhe i shikuan kamerat e organizatës. Ata e morën paketën nga zyra, dhe nuk e di se kush e ka hapur pakon, ata e vazhduan punën në zyrën e Gucatit. Isha e frikësuar në atë kohë sepse nuk më kishte ndodhur një gjë e tillë më parë, dokumentet i kam parë vetëm nga distanca dhe nuk më është lejuar t’i shoh ato”.
“Me 16 shtator 2020 u soll edhe një dërgesë tjetër, njeriu i panjohur i mbante paketat dhe i lëshonte në tavolinën përballë tavolinës time. Nuk më kujtohet se i kam thënë diçka atij personi. Njeriu që i solli ato paketa ishte ndryshe nga ai që i solli herën e parë, ishte më i gjatë se njeriu i parë njëjtë mbante maskë, syzë dhe kapelë bejsbolli. Kurrë nuk e kam parë çfarë mbanin paketat. Edhe paketa e dytë më la të frikësuar. Edhe tani frikësohem të qëndroj vet në zyrë”, ka thënë Miftari. /Gazeta Enigma/.