Me dëgjimin dëshmitares K.B të hënën ka vazhduar gjykimi ndaj Marko Roshiq, Nedelkjo Spasojeviq, Dragisha Markoviq, Zharko Jovanoviq, Silvana Arsoviq dhe Rade Basara, të akuzuar si të përfshirë në vrasjen e politikanit serb, tani të ndjerit Oliver Ivanoviq.
Oliver Ivanoviq u vra më 16 janar 2018, me gjashtë të shtëna në shpinë, përpara zyrës së partisë së tij në Mitrovicën e Veriut dhe nga vrasja e tij e deri më tani kanë kaluar më shumë se 3 vjet e 10 muaj, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Në seancën e kaluar të 30 gushtit 2021, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Valon Kurtaj kishte marrë vendim që deklaratat e dëshmitarëve të mos publikohen, në mënyrë që të mos dëmtohet procesi i gjykimit, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Këtë kërkesë të tij, gjykatësi Kurtaj e ka përsëritur edhe në këtë seancë, i cili po ashtu ka thënë se deklaratat e dhëna nëpër media po bien ndesh me rregulluat e procedurës penale pasi sipas tij, është mundësia e ndikimit në dëshmitarë.
“Për monitoruesit që ju lejohet monitorimi, në rastin e raportimit për rastin dhe këtë seancë të jenë të kujdesshëm për deklarimet e dëshmitarëve për faktin se deklaratat e dhëna në tersi janë prezantuar nëpër media e që bie ndesh me rregullat e procedurës penale dhe mundësinë e ndikimit në deklaratat e dëshmitarëve tjerë, andaj kërkojmë që të ketë kujdes në raportimin e deklaratave”, tha gjykatësi Kurtaj.
Ndryshe, kjo dëshmitare gjatë kësaj seance ka treguar se me të ndjerin Oliver Ivanoviq ka punuar për 20 vite dhe se këtë të fundit e ka pasur bashkëpunëtor shumë të afërt.
Ajo ka treguar se i ndjeri kishte lajmëruar institucionet e Kosovës, duke filluar nga policia, KFORI dhe EULEX-i, se po ndjehet i rrezikuar.
Në këtë seancë ajo po ashtu ka kritikuar profesionalizimin e policisë së Kosovës, ku sipas saj policia në këtë rast ka qenë joprofesionale.
Ajo ka thënë se i ndjeri Ivanoviq, përveç politikës nuk ishte marrë me asgjë tjetër, dhe se sipas saj, ai nuk ka qenë pengesë në biznes apo për profesionalizëm.
Dëshmitarja ka treguar po ashtu se kur kishte biseduar me të ndjerin Oliver Ivanoviq, për sigurinë e tij dhe sigurinë e përgjithshme, ai i kishte thënë se ka qene i rrezikuar nga një grup i caktuar kriminal, grup ky sipas saj, nga territori i Mitrovicës.
Për shkak se deklaratat në tersi janë ndaluar nga trupi gjykues, nuk mund të raportohet më shumë se si ka rrjedhur kjo seancë, gjithnjë duke e respektuar vendimin e gjykatës, atë të seancës së kaluar dhe seancës së sotme.
Dëshmia e dëshmitares K.B pritet të vazhdojë edhe nesër pasi sot pyetjet i kanë përfunduar prokurori special, Burim Qerkini, dhe mbrojtja e të akuzuarve, nesër pritet te vazhdohet me rimarrjen në pyetja nga ana e prokurorit Qerkini dhe me pyetjet e trupit gjykues./Gazeta Enigma/