Sot ka dështuar edhe tentimi i 26-të për të konstituar Kuvendin e Kosovës.
Për këtë ka reaguar kryetari i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli.
Ai këtë e quajti poshtërsi politike.
“Mua dikur më quanin servil, të paditur e të paaftë për politikë – vetëm sepse zgjidhja krizat politike, pa marrë parasysh se kush ishin partitë apo partnerët. E bëja për Kosovën, sepse e dija se çdo bllokadë politike e dëmton vendin”, tha Pacolli.
“A e shihni sa keq është kur dikush nuk e do vendin e vet? Kur e përdor postin publik për interesa personale, për inate, për hesape politike dhe jo për të përfaqësuar qytetarët që ua dhanë votën?”, theksoi ai.
“Sa poshtë bie politika kur e përbuz hapur besimin e qytetarit. Kur karrigia bëhet më e rëndësishme se vendi. Kur e shkel dinjitetin e institucioneve vetëm për t’i bërë qejfin vetes ose liderit të partisë. Sa turp, sa dështim!”, shtoi kreu i AKR-së.