Dështimi i faqes së KQZ-së, Haradinaj fajson Qeverinë Kurti

Dështimi i faqes së KQZ-së, Haradinaj fajson Qeverinë Kurti

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka fajësuar Qeverinë Kurti për dështimin e sistemit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për rezultatet preliminare në zgjedhjet parlamentare, të mbajtura më 9 shkurt.

Sipas tij, ‘kapja e institucioneve të pavarura nga qeveria ka arritur kulmin, duke ndikuar drejtpërdrejt në mosfunksionimin e sistemit të KQZ-së dhe vonesat në shpalljen e rezultateve preliminare’.

Siç thotë Haradinaj, kjo qeveri ka zëvendësuar kuadrot profesionale në KQZ me militantë partiakë.

“Për herë të parë në historinë e Kosovës së pavarur, rezultatet e zgjedhjeve nuk dihen as pas 24 orëve. Kjo është pasojë e zëvendësimit të kuadrove profesionale me militantë partiakë dhe angazhimi i kompanive të teknologjisë përmes tenderëve të dyshimtë,” ka deklaruar Haradinaj.

Ai ka ngritur shqetësime mbi raportimet nga terreni, të cilat, sipas tij, dëshmojnë për një skemë të organizuar të manipulimit të rezultateve zgjedhore.

“Përmes kontrollit politik të KQZ-së dhe sistemit të ‘dështuar teknik’, po tentohet të tjetërsohet vullneti i qytetarëve,” ka theksuar ai, duke e cilësuar këtë si goditje të rëndë ndaj demokracisë dhe vlerave për të cilat Kosova ka luftuar.

Haradinaj ka bërë thirrje për mbrojtjen e votës së lirë dhe ka paralajmëruar përdorimin e të gjitha mekanizmave institucionalë dhe ligjorë për të ruajtur integritetin e procesit zgjedhor. /Gazeta Enigma

Related Articles