Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, nuk merr përgjegjësi për dështimin e procesit të regjistrimit të popullsisë i paraparë të nis më 1 nëntor. Në Agjencinë e Statistikave të Kosovës kanë fajësuar dikasterin e drejtuar nga Murati.
Murati ka thënë se e kanë ndihmuar ASK-në për procesin e regjistrimit, por që sipas tij si Ministri nuk janë përgjegjës për këtë proces.
“Ministria e Financave ka ofruar ndihmë dhe mbështetje për t’i kryer disa punë që ata (ASK) nuk kanë pasur resurse t’i përfundojnë… Ne e kemi marrë atë vendim dhe i kemi ndihmuar ASK-në…Është problem kur dikujt i ndihmon, mundohet t’i fajësoj atë që po e ndihmon. Ministria e Financave nuk e ka përgjegjësi regjistrimin e popullsisë, e ka ASK-ja”, ka thënë Murati.
Në anën tjetër, zëvëndëskryeshefi i ASK-së, Ilir Berisha ditë më parë ka thënë se shkaktare që regjistrimi të mos fillojë me kohë ka qenë edhe Ministria e Financave.
Sipas tij, formimi i komisioneve për mbikëqyrës dhe regjistrues ka qenë pjesë e vendimit të Ministrisë së Financave.
“Ende nuk i kemi siguruar mbikëqyrësit dhe regjistruesit për t’i angazhuar në projektin e regjistrimit të popullsisë. Konkursi është ende i hapur për shkak se nuk është numri i mjaftueshëm i të aplikuarve, nuk janë formuar komisionet për rekrutimin e tyre dhe për intervista, vlerësimin e tyre që ka qenë pjesë e vendimit të Ministrisë së Financave që t’i bëjë këto komisione, përkundër që neve kemi propozuar…Kështu është e pamundshme të realizohet regjistrimi me 1 nëntor…Komisionet për rekrutimin, ne i kemi propozuar komisionin për pranimin e mbikëqyrësve dhe në bazë të vendimit që është hap ky konkurs për angazhim një muaj, në vendim shkruhet se komisionet i krijon Ministri i Financave. Ne i kemi dërguar propozimet dhe jemi në pritje të themelimit të këtyre komisioneve”, kishte thënë Berisha për KP.
Ndërkaq, Qeveria me vendimin e fundit pati vendosur që procesi i regjistrimit të popullsisë të nisë më 1 nëntor dhe të zgjasë deri më 15 dhjetor, porse për shkak të mos përgatitjes me kohë, ASK-ja kishte kërkuar që ky proces të shtyhet për vitin tjetër, mirëpo nuk kanë marrë përgjigje nga Qeveria për këtë shtyrje. Regjistrimi i fundit i popullsisë në Kosovë është bërë në vitin 2011, ndërsa regjistrimi që është dashur të bëhet në vitin 2021, është shtyrë për shkak të pandemisë COVID-19. Sipas regjistrimit të 2011-ës, numri i përgjithshëm i banorëve në Kosovë, llogaritet të jetë rreth 1.8 milionë banorë.