Ka dështuar për të gjashtën herë të konstituohet Komisioni Hetimor Parlamentar për rezervat shtetërore.
Lajmin e ka bërë të ditur deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, i cili përmes një postimi në rrjetin social Facebook tha se deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje sërish kanë bojkotuar mbledhjen.
Lekaj në shenjë proteste ka kryer një aksion simbolik në sallën ku ishte paraparë të mbahej mbledhja.
“Paga të majme ama në punë nuk vijnë. Ditën e nisa me një aksion simbolik në Komisionin Hetimor për rezervat shtetërore, ku për të 6-tën herë Deputetët e Vetëvendosjes që paguhen nga taksat e qytetarëve nuk vijnë në konstituimin e tij!”, shkroi Lekaj
Konstituimi i këtij Komisioni ka dështuar gjashtë herë, për shkak të bojkotimit të deputetëve të pozitës për të marr pjesë në mbledhje. Ky bojkotim i mazhornacës është duke ndodhur pasi sipas tyre opozita nuk po i voton marrëveshjet ndërkombëtare.