Dështon seanca, Gashi: Do të lëshohet urdhërarrest për Dardan Molliqajn

Dështon seanca, Gashi: Do të lëshohet urdhërarrest për Dardan Molliqajn

Në mungesë të të akuzuarit Dardan Molliqaj, ka dështuar sërish të nis gjykimi të enjten në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin ku ai dhe Fatos Sahiti, akuzohen për sulmin ndaj Haki Abazit pas një debati televiziv në vitin 2019. Ndaj Molliqajt, do të lëshohet urdhërarrest.

Gjyqtari i rastit, Fisnik Gashi bëri të ditur se për shkak të mungesës në seancë, ndaj Molliqajt do të lëshohet urdhërarrest, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Seanca e sotme e shqyrtimit gjyqësor nuk mund të mbahet për shkak të mungesës së të pandehurit Dardan Molliqaj. Ndaj të pandehurit Dardan Molliqaj do të lëshohet urdhërarrest”, tha gjyqtari.

Të pranishëm në seancë ishin i akuzuari Fatos Sahiti dhe avokati i Dardan Molliqajt, Dren Kukaj. Ndërsa, nga pala e dëmtuar Haki Abazi me avokaten Sadije Mjekiqi.

Andaj, në mungesë të kushteve ligjore kjo seancë dështoi.

I akuzuari Dardan Molliqaj, kryetar i Partisë Socialdemokrate (PSD) mungoi edhe në seancën e 4 shtatorit 2025, në të cilën mungesën e kishte arsyetuar me angazhimet për fushatën zgjedhore.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 18 shkurt 2020 nga Prokuroria Themelore në Prishtinë të pandehurit Dardan Molliqaj dhe Fatos Sahiti akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Sulmi”, nga neni 184, paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, vepër kjo e dënueshme me gjobë ose me burgim deri në një vit.

Në aktakuzë thuhet se më 11 shtator 2019, rreth orës 22:00 në Fushë Kosovë, në Kolegjin “AAB”, të pandehurit e lartcekur pas përfundimit të debatit në emisionin “Pressing” në studion së televizionit T7, ku ishin të ftuar Endrit Shala, Rexhep Hoti, Haki Abazi dhe Dardan Molliqaj, me të dalë në korridor të kolegjit AAB, i pandehuri Molliqaj fillimisht e ka thirrë të dëmtuarin Abazi “ndalu këtu të flasim çka deshte me thënë në debat”, i cili ishte para tyre në korridor duke dalë në shoqëri me Rexhep Hotin.

Tutje, në aktakuzë thuhet se posa i afrohet i pandehuri Molliqaj me dashje, duke e përdorë forcën e sulmon të dëmtuarin Haki Abazi në atë mënyrë që fillimisht e ka kapur për duar e më pas e godet me grusht në fytyrë dhe shqelma në këmbë.

Gjithnjë sipas aktakuzës, këtij sulmit i bashkëngjitet edhe i pandehuri Sahiti, i cili e godet të demtuarin me grusht derisa i dëmtuari arrin t’iu largohet dhe të ikë me shpejtësi në drejtim të studios së televizionit T7, dhe kështu i shqetësuar për rastin e thërret policinë.

Vërejtje:Personat e përmendur në këtë artikull, sipas ligjeve të Republikës së Kosovës, konsiderohen të pafajshëm deri në vendimin e formës së prerë nga gjykata.

Related Articles