Kosova sot është përfshirë nga shiu dhe erërat e forta ku në disa qytete ka shkaktuar edhe dëme të konsiderueshme.
Njëri prej qyteteve më prekura nga erërat e forta dhe shiu i rrëmbyeshëm ishte Gjilani.
Në Gjilan rreth orës 19:17 një vinç ka rënë mbi një veturë e tipit Mercedes Pikap, ka rrëzuar disa lisa në qytet dhe ka shkatërruar totalisht tendat në panairin “E JONA” në qendër të qytetit.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Ismet Hashani ka bërë të ditur për Gazetën Enigma se kanë mbetur tre persona të lënduar pasi vinçi kishte rënë mbi një veturë. Gjendja e tyre është stabile ka bërë të ditur Hsahani.
Ai ka bërë të ditur se në qendër të qytetit ka mbetur i lënduar edhe një person, por gjendja e tij është stabile dhe është duke u trajtuar në Emergjencë në Gjilan.
“Ju njoftojmë se më datën 28.07.2022, rreth orës 19:15 në qytetin e Gjilanit ka pasur Erëra të forta dhe shi, ku nga erërat e forta kanë pësuar lëndime në njerëz dhe dëme materiale të konsiderueshme. Në rrugën “Lufta e Gjilanit 44”, ka rënë një krane(Vinç) mbi një veturë . Vetura e cila ka qenë në lëvizje e tipit Mercedes, Pikap, me tabela vendore, në veturë kanë qenë tre persona, Shqiptarë/Kosovarë, ku sipas mjekut gjendja e tyre është stabile, në qendër të qytetit kemi edhe një person të lënduar, Shqiptarë/Kosovarë, gjendja është stabile, të gjithë të lënduarit janë duke u trajtuar në Emergjencë-Gjilan”, ka konfirmuar Ismet Hashani për Gazetën Enigma.
Hashani ka bërë të ditur se për momentin gjendja është stabile dhe të gjitha rrugët janë të qarkullueshme.
“Në teren janë angazhuar të gjitha njësitet emergjente, policia, zjarrfikëset, ndihma e shpejt dhe njësitet e KEDS-it, për moment gjendja është stabile, vërshime deri në këto momente nuk kemi të raportuar dhe të gjitha rrugët janë të qarkullueshme”, thotë ai./GAZETA ENIGMA/