Detaje nga incidenti me 10 euro, ku njërit iu lënduan gishtat

Detaje nga incidenti me 10 euro, ku njërit iu lënduan gishtat

Lanë takim te stadiumi i qytetit në Gjilan, por jo për gara sportive.

Mesditën e 22 tetorit F.I 17 vjeç dhe A.D 18, do t’i kërkonin kthimin e borxhit prej 10 eurosh, 27 vjeçarit R.A.

Ky i fundit nuk e bëri këtë, andaj filloi një përleshje mes tyre, nga e cila i rrituri përfundoi i lënduar. Ai dyshohet se u sulmua me një mjet të mprehtë, drapër, në njërën nga duart.

“Pacienti është sjellë në emergjencë me përcjellje të policisë për shkak të plagës prerëse 2 cm të gishtit të madh të shkaktuar me mjet të mprehtë.” tha Arsim Emini, Drejtor në Spitalin e Përgjithshëm të Gjilanit.

Nga atje u transferua për trajtim të mëtutjeshëm në Klinikën e Kirurgjisë Plastike në QKUK dhe të nesërmen ishte liruar për në shtëpi. E tek të hënën u arrestua i dyshuari kryesor, i mitur, F.I, për të cilin organet e rendit kishin lëshuar fletëarrest.

I njëjti pas intervistimit është dërguar në mbajtje për 48 orë nën dyshimin se ka kryer veprën penale, “Lëndim i rëndë trupor”.

“Personi i dytë është intervistuar, por pas konsultimit me prokurorin e çështjes i njëjti është liruar në procedurë të rregullt dhe akuzohet për veprën tjetër pjesëmarrje në rrahje” tha Besim Rexhepi, Komandant në Policinë e Gjilanit.

Dy të dyshuarit ishin të njohur për policinë edhe për vepra të tjera penale, F.I me 20 të tilla dhe A.D me 11.

Related Articles