Dëshmitari Valdrin Muja, ka thënë se momentin kritik kur të akuzuarit kishin shtënë në drejtim të 15-vjeçarit dhe babait të tij, nuk kishte pasur vetëdije të plotë.
Këtë deklarim, Muja e bëri në seancën e së martës, gjatë vazhdimit të dhënies së dëshmisë së tij, në rastin ku Xhafer Bardhi dhe Amir Bardhi akuzohen se si rezultat i një mosmarrëveshje pronësore, kanë privuar nga jeta të miturin A.M (15-vjeçar) dhe prindin e tij B.M., raporton “Betimi për Drejtësi”.
I pyetur nga mbrojtësi i të akuzuarit Xhafer Bardhi, avokati Haxhi Millaku, se a i kujtohej se ai ka telefonuar policinë pas ngjarjes dhe sipas tij i njëjti në prokurori kishte deklaruar se nuk ka pasur vetëdije të plotë, dëshmitari Muja tha se pas asaj ngjarje nuk ka mundur të dijë a ka pasur vetëdije të plotë.
“Në momentin që ka kërcit arma që u godit A.M, prej atij momenti që më ka ra djali në dorë, unë nuk kam mujt me ditë vetën a kam pasur vetëdije të plotë, aty veç Zoti e di çka kom përjetu unë, ma mirë ka qenë me na vra tonëve”, ka thënë Muja.
I pyetur nga i akuzuari Xhafer Bardhi se “Pse ma ke kapë armën atë ditë, për çfarë qëllimi ?”, dëshmitari ka thënë se një gjë e tillë nuk kishte ndodhur, ndërsa shtoi se nëse kishte ndodhur ajo nuk do të kishte ndodhur vrasja.
“Unë nuk e di se ku ia kam kap këtij armën në atë moment, me pas kap armën unë ai kurrë me vra N. jo”, ka thënë dëshmitari Muja.
Dëshmitari deklaroi se të akuzuarit i kishte identifikuar pasi që të njëjtit kishin pasur drita në kokë.
Tutje Muja, gjatë dhënies së dëshmisë së tij ka thënë se sa i përket deklaratës së dhënë në polici në natën kritike, nuk është në dijeni se çfarë ka deklaruar për shkak të përjetimeve të tij.
Duke u përgjigjur në pyetje të anëtarit të trupit gjykues, gjykatësit Ngadhnjim Arrni, dëshmitari tha se nuk e ka parë armën e të akuzuarit.
“Nuk e kam parë as çfarë o kon arma, as s’e kam parë armën hiç, as kush ka gjuajt”, tha dëshmitari Muja.
Seanca e radhës për këtë çështje pritet të mbahet më 19 dhjetor 2022.
Ndryshe, Muja në seancën e 8 nëntorit të këtij viti, kishte deklaruar se ditën kritike, pas të shtënave të armës, i ndjeri A.M, kishte thënë “o kuku babë m’rroki”.
Sipas aktakuzës së përpiluar më 28 shkurt 2022, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, të pandehurit Xhafer Bardhi dhe Amir Bardhi po akuzohen se më 5 prill 2021 në vendin e quajtur “Zabel” në pyllin e fshatit Gradicë, për shkak të një mosmarrëveshje pronësore rreth së drejtës së shfrytëzimit të malit, me dashje të pandehurit Bardhi në bashkëkryerje kanë privuar nga jeta të miturin- tani të ndjerin A.M 15-vjeçar dhe prindin e tij B.M.
Aktakuza thotë se të njëjtit kanë vënë në rrezik dhe jetën e personave tjerë, të dëmtuarave Valdrin, Valmir dhe Driton Muja, në atë mënyrë që derisa i pandehuri Amir Bardhi ka qenë duke ecur rrugës së malit bashkë me djalin e axhës së tij, dëshmitarin Fisnik Bardhi, aty takohen me të dëmtuarin Valdrin Muja, i cili ka shkuar nga mali, vendi ku ka qenë duke prerë drunj, për ta marrë traktorin dhe për të ngarkuar drunjtë të cilat kanë qenë duke i prerë në mal.
Më pas, aktakuza thotë se Amiri e ka pyetur Valdrinin se “çka jeni duke bërë” dhe se i njëjti i tregon se janë duke prerë drunj në mal dhe më pas i dëmtuari Valdrin vazhdon rrugën në drejtim të vendit ku kanë qenë duke prerë drunjtë, ndërsa Amiri dhe Fisniku po ashtu ndahen.
Tutje, në aktakuzë thuhet se i pandehuri Amiri nëpërmjet telefonit e njofton të pandehurin Xhafer se të dëmtuarit janë duke prerë drunj në mal të cilët bisedojnë për 62 sekonda.
I pandehuri Xhafer i cili ka qenë në shtëpi, thuhet se i merr dy drita për ndriçim të cilat vendosen në kokë, merr armën-pushkën e gjuetisë dhe nisët më veturën e tipit “Golf 2” e rrugës bëhen bashkë të dy të pandehurit dhe vazhdojnë në drejtimi të vendit ku të dëmtuarit kanë qenë duke prerë drunj.
Aty, i pandehuri Amir thuhet se ka kontribuar në kryerjen e veprës penale, duke ndriçuar me njërën dritë për të krijuar mundësinë për gjuajte të pandehurit Xhafer, e po ashtu edhe i pandehuri Xhafer ka ndriçuar me njërën dritë dhe menjëherë ky i fundit ka shtënë me armë në drejtim të të dëmtuarit tani të ndjerit A.M i cili në atë moment bërtet “babë më rroki”.
Pastaj, kur i ndjeri B.M dhe i dëmtuari Valdrin shkojnë në drejtim të A.M për t’i dhënë ndihmë, atëherë thuhet se i pandehuri Xhafer prapë shkrep dhe e qëllon tani të ndjerin B.M në kokë, ku më pas i thotë të pandehurit Amir “ikim bir se u bo m**”.
Aktakuza thotë se në vendin e ngjarjes janë gjetur 16 gëzhoja të vogla me të cilat i kanë rrezikuar edhe të dëmtuarit Valdrin,Valmir dhe Driton Muja, të cilët kanë qenë prezent duke prerë dhe bartur drunj, ku këta dy të fundit janë alivanosur pas dy të shtënave.
Gjithnjë sipas aktakuzës, për të ndjerin A.M në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Drenas konstatohet vdekja e tij, ku vdekja e tij është e dhunshme dhe ka ardhur si rrjedhojë e gjakderdhjes masive të brendshme dhe të jashtme si pasojë e veprimit dinamik të predhave të hedhura nga arma e gjuetisë.
Ndërsa, i ndjeri B.M pëson lëndime të rënda trupore ku më 15 prill 2021 ndërron jetë në QKUK edhe ai si pasojë e plagëve vdekjeprurëse.
Me këtë të pandehurit Bardhi akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” nga neni 173 paragrafi 1 pika 1.1, 1.5 dhe 1.11 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Kurse, sipas dispozitivit të dytë të kësaj akuze, i pandehuri Xhafer në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armë të tilla ka pasur në posedim armën-pushkën e gjuetisë të cilën e ka punuar vet.
E me këtë, i pandehuri Xhafer Bardhi akuzohet edhe për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366 paragrafi 1 të KPRK-së.