Detaje të reja kanë dalë në dritë nga ngjarja që u raportua muajin e kaluar në Tiranë, ku një 24-vjeçare me origjinë nga Palestina u gjet e vrarë me thikë në një banesë të marrë me qira në Tiranë.
Autor i dyshuar i ngjarjes është Fadi Alwan, i cili pak më herët u tha se ishte bashkëshorti i palestinezes Rayyan Alwan, por këtë të martë autoritetet kanë konfirmuar se ai është babai i viktimës.
Bëhet me dije se Fadi Alwan, babai i 24-vjeçares është larguar në drejtim të Libanit menjëherë pas krimit dhe ende nuk dihet lokalizimi i saktë i tij apo itinerari që ka ndjekur. Sakaq arsyet që çuan 49-vjeçarin të kryejë krimin e rëndë mbeten ende mister ndërkohë që pritet të dalë edhe ekspertiza e vdekjes së të resë.
Trupi i pajetë i 24-vjeçares u gjet pak ditë më parë në një banesë të marrë me qira në rrugën e Kavajës ku ishte duke jetuar me 49-vjeçari, Fadi Alwan që është babai i të resë dhe jo partneri siç u raportua më herët.
Dy personat nga Palestina thuhet se jetonin në Gjermani, ndërsa kishin ardhur në vendin tonë më 19 shkurt ku kanë udhëtuar nga Gjermania në Rinas. Më tej bëhet me dije se te kontrolli i pasaportës në aeroport janë prezantuar me dokumente greke. Pas daljes nga aeroporti ata kanë rezervuar një taksi e cila i ka transportuar tek banesa ku ndodhi vrasja.
Policia ka kqyrur kamerat e sigurisë në zonë dhe më datë 22 shkurt 49-vjeçari në pamje filmike shfaqet duke u larguar nga zona e rrugës së Kavajës dhe po më datë 22 shkurt është larguar në mbrëmje nga aeroporti i Rinasit në drejtim të paditur. Grupi hetimor ka dyshime që krimi ka ndodhur më datë 22 shkurt.
Autoritetet po vazhdojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rastit, si dhe përcaktimin e shkakut të ngjarjes, duke qënë se tashmë pista e heitmit mori tjetër rrjedhë./Lapsi.al