Nikolla Sanduloviq, i cili kohëve të fundit është rrahur dhe torturuar nga shërbimi famëkeq sekret serb BIA, ka folur sërish për mediat ndërkombëtare rreth dhunës së ushtruar ndaj tij pas vizitës te varrezat e familjes Jashari.
Ai ka ndarë edhe hollësi të reja për rastin, ku shpjegon për “Observer” se BIA e uli në gjunjë dhe e detyroi të puth fotografitë në mur të agjentëve serbë që kanë vdekur në Kosovë gjatë vitit 1998-1999.
“Pastaj kur filluan rrahjet më goditën aq fort sa humba ndjenjat. Në furgon më goditën në kokë, më goditën me grusht në fytyrë dhe më goditën me shkelma. Në hollin e selisë së BIA-s, ma hoqën këmishën dhe më detyruan të gjunjëzohesha dhe të puthja fotografitë në murin e agjentëve që kishin vdekur në Kosovë. Ata vazhduan të pyesnin se kush qëndronte pas vendimit tim për të vizituar vendin e varrimit, kush po më jepte ryshfet për të bërë gjëra të tilla”, ka thënë Sanduloviq, siç e citoi “The Guardian”.
Tortura, thotë Sanduloviq, zgjati gjashtë orë.
“Ata u ulën në të dyja këmbët e mia, më tërhoqën krahët dhe ma kthyen kokën mbrapa, ndërkohë që videografonin [skenat] dhe bërtisnin ‘tradhtar”.
“Në fund thash: ‘Nuk do t’i përgjigjem më pyetjeve. Më vrisni ose telefononi një mjek”.