Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti i Krimeve të Rënda, përmes një njoftimi në media ka sqaruar se pas pranimit të informatës nga policia për raportimin e një vdekjeje të dyshimtë në fshatin Vragoli-Fushë Kosovë, prokurorja kujdestare e Departamentit të Krimeve të Rënda ka dalë në vendin e ngjarjes bashkë me njësitë tjera relevante, ku aty është konstatuar një person (i gjinisë femërore) pa shenja jete, raporton Gazeta “Enigma”.
Prokuroria njofton se pas arrestimit, e dyshuara është dërguar në mbajtje.
“Sipas dyshimeve fillestare nga kjo ngjarje dyshohet se viktima është privuar nga jeta nga motra e saj, e cila me urdhër të prokurores kujdestare është dërguar në mbajtje dhe ndaj të njëjtës do të ndërmerren masat e nevojshme brenda afateve ligjore. Ndërsa, trupi i pa jetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë”, njofton prokuroria.
“Prokurori i Shtetit, në koordinim me policinë janë duke i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore në drejtim të veprës penale “Vrasja e rëndë”, nga neni 173 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet tutje në njoftimin e tyre./Gazeta Enigma