Dhjetëra të lënduar nga përplasja e dy trenave në Danimarkë

Dhjetëra të lënduar nga përplasja e dy trenave në Danimarkë

Dhjetëra njerëz janë lënduar si pasojë e përplasjes mes dy trenave kokë më kokë pranë kryeqytetit danez, Kopenhagë, të enjten, njoftoi policisë vendëse.

Mediat vendëse raportuan se 17 njerëz u lënduan, katër prej tyre rëndë, pas përplasjes së trenave në Gribskov, rreth 40 kilometra në veri të Kopenhagës.

Policia e quajti përplasjen “aksident serioz”, por një zëdhënës i policisë i tha AFP-së se të gjithë udhëtarët u evakuuar nga trenat.

“Dy trena u përplasën dhe policia dhe shërbimet emergjente janë mbledhur në numër të madh”, tha policia në një komunikatë.

Rasti u raportua në orën 6:30 të mëngjesit, sipas zëdhënësit të policisë, Tim Simonsen.

“Ishte përplasje kokë më kokë dhe ka të lënduar mes udhëtarëve”, tha ai për AFP, pa dhënë hollësi të mëtejshme.

Kryetarja e bashkisë së Gribskovit, Trine Egetved, tha në Facebook se disa nga të lënduarit u dërguan në spital me helikopter.

Pamjet në media treguan dëmtime në lokomotivat e dy trenave, të cilët ndodheshin mes qyteteve Hillerod dhe Kagerup kur u përplasën.

Egetved tha se është “thellësisht e tronditur dhe e shqetësuar” nga aksidenti.

“Ky tren përdoret nga shumë banorë të Gribskovit, punëtorë dhe studentë. Shërbimet emergjente po punojnë pa pushim dhe ne po përpiqemi, në nivel qendror, të krijojmë një pasqyrë të qartë të asaj që ndodhi dhe të sigurohemi që të gjithë të marrin ndihmën që u nevojitet”, tha ajo.

Danimarka krenohet me standardet e saj të sigurisë, por një aksident treni në vitin 2019 la tetë të vdekur dhe 16 të lënduar.

Në gusht të vitit të kaluar, një tren ekspres u përplas me një kamion bujqësie në një kalim hekurudhor, duke lënë një të vdekur 27 të lënduar.

Related Articles