Sulmet ajrore izraelite në Rripin e Gazës kanë vrarë mbi dhjetëra njerëz gjatë mbrëmjes mes të premtes dhe të shtunës, thanë autoritetet lokale dhe shëndetësore.
Ushtria izraelite i kreu këto sulme në një kohë kur ekipet mjekësore janë duke e kryer një fushatë urgjente të vaksinimit të fëmijëve kundër poliomielitit në territorin palestinez.
Vaksinimi filloi pasi zyrtarët shëndetësorë konfirmuan rastin e parë me poliomielitit në Gazë pas plot 25 vjetëve, një foshnje 10-mujore, të cilit i është paralizuar këmba.
Fushata nëntëditore, e udhëhequr nga agjencia shëndetësore e Kombeve të Bashkuara dhe partnerët e saj, nisi të dielën e kaluar në Gazën qendrore dhe synon vaksinimin e 640.000 fëmijëve nën moshën 10-vjeçare.
Ndërkohë, Izraeli e vazhdoi ofensivën e vet ushtarake, e cila e ka rrënuar sistemin shëndetësore të Gazës dhe shumicën e infrastrukturës së saj.
Spitali Al-Awda tha se i ka pranuar trupat e nëntë personave të vrarë në dy sulme të ndara ajrore në kapin e refugjatëve Nuseirat në Gazën qendrore. Njëri sulm e goditi një ndërtesë banimi mëngjesin e së shtunës, duke i vrarë katër persona dhe duke plagosur 10 të tjerë, tha spitali, derisa sulmi tjetër goditi një shtëpi duke i vrarë pesë njerëz.
Ndërkohë, spitali kryesore në Gazën qendrore, Al-Aqsa, tha se një grua dhe dy fëmijët e saj u vranë nga një sulm tjetër ajrore në një shtëpi në afërsi të kampit të refugjatëve Bureij mëngjesin e së shtunës.
Në pjesën veriore të Gazës, një sulm ajror goditi një shkollë të shndërruar në strehimore për të zhvendosurit vrau së paku katër njerëz dhe plagosi disa dhjetëra të tjerë, sipas Mbrojtjes Civile të Gazës, e cila vepron nën urdhrat e qeverisë së udhëhequr nga Hamasi – grupi i shpallur terrorist nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.
Izraeli e ka nisur luftën në Gazë si hakmarrje ndaj sulmeve të Hamasit në tokën izraelite më 7 tetor, në të cilat militantët kanë vrarë 1.200 njerëz dhe kanë marrë peng 240 të tjerë.
Si pasojë e fushatës ushtarake tokësore dhe ajrore të Izraelit, në Gazë janë vrarë më shumë se 40.000 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, sipas autoriteteve shëndetësore palestineze.