Fundjava e kaluar u mbyll me dhunë në hendbollin kosovar. Ndeshja mes klubeve, të Vushtrrisë dhe Trepçës u ndërpre si pasojë e një përleshje në të cilën u përfshinë lojtarët vendas. Tre hendbollistë të Vushtrrisë, që dyshohen se sulmuan lojtarët mysafirë janë dënuar, duke u përjashtuar përherë me vendim të Federatës.
Në anën tjetër, ky rast po hetohet edhe nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë, me ç’rast vepra ndaj të dyshuarve është cilësuar si “Lëndim i lehtë trupor”.
Sot, me urdhër të Prokurorit të Shtetit janë intervistuar dy persona, në cilësinë e të dyshuarve, të cilët kanë dhënë deklaratat e tyre për atë që ka ndodhur.
Sinjali mëson se përveç tyre, edhe viktimat e rastit kanë dëshmuar për incidentin që çoi në përjashtimin e tre lojtarëve.
Tre lojtarët e dyshuar janë Halim Miftari, Asllan Gërguri dhe Haki Vllahija, që janë përjashtuar përjetësisht nga hendbolli kosovar.
Kurse, KH Vushtrria u dënua me 800 euro gjobë (300 euro për hedhje të mjeteve piroteknike, si dhe 500 euro për përleshjen e ndodhur), -3 pikë në renditjen tabelore dhe pesë ndeshje pa prezencë të publikut në palestër, ndërsa ndeshja e ndërprerë u regjistrua me rezultat zyrtarë 0:10 në favor të KH Trepçës.
Ndryshe, këto janë dënimet më të rënda të shqiptuara ndonjëherë në sportin kosovar.