Serhij Rebrov formonte dikur një dyshe fantastike në sulm me Andriy Shevchenkon te Dinamo e Kievit dhe te kombëtarja e Ukrainës.
47-vjeçari, i cili bashkë me Myrto Uzunin fituan titullin kampion në Hungari me Ferencvaros, mori drejtimin e Al Ain në verën e kaluar.
Rebrov ka firmosur një kontratë deri në fund të sezonit me skuadrën e Emirateve të Bashkuara Arabe, por mendjen e ka te lufta në vendlindje. Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës dhe trajneri është gati të lërë detyrën e tij për t’u rikthyer për të luftuar në mbrojtje të atdheut.
“Kam biseduar me gazetarë nga e gjithë bota, dua që të gjithë ta marrin vesh se çfarë po ndodh në Ukrainë. Nuk arrij të mendoj për futbollin, të gjithë duhet të mendojmë se si të mbrojmë vendin tonë. Jam krenar për njerëzit dhe ushtarët që po luftojnë.
Unë kam një punë këtu, por sapo të mbarojë sezoni do të kthehem në shtëpi, te njerëzit e mi. Do të marr një armë në dorë dhe do të luftoj. Të jeni të sigurt se do të mbijetojmë. Putin? Nuk shoh asnjë kompromis të mundshëm me të”, deklaroi ish-sulmuesi i talentuar ukrainas.