Kompania Elektrosever mund ta fillojë punën, kanë thënë për Radion Evropa e Lirë nga Kompania për Shpërndarje të Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS), që në praktikë do të thotë furnizim me energji elektrike për komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës.
Elektrosever është kompani në pronësi të Elektroprivreda Srbije – EPS (Elektro-ekonomia e Serbisë), e cila është e regjistruar në Kosovë, sipas ligjeve vendore. Ajo buron nga marrëveshja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për energjinë, e arritur në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.
Bashkimi Evropian, i cili ndërmjetëson në dialog, më 9 dhjetor njoftoi se Elektroseveri dhe KEDS-i kanë nënshkruar një kontratë komerciale për energjinë.
“Ky është një hap i rëndësishëm drejt zbatimit të Udhërrëfyesit për energjinë dhe drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, ka shkruar i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak, në rrjetin social X.
Ndërkohë, më 11 dhjetor, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, tha se nënshkrimi i kontratës komerciale ndërmjet KEDS-it dhe Elektroseverit nënkupton një hap drejt normalizimit të furnizimit me energji elektrike në katër komuna në veri, por edhe pagesës së faturave.
Qytetarët e Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zveçanit dhe Zubin Potokut nuk kanë paguar faturat për energjinë e konsumuar që nga viti 1999.
Çfarë do të thotë kontrata e nënshkruar?
Në një përgjigje me shkrim për Radion Evropa e Lirë, KEDS-i thotë se me nënshkrimin e kësaj kontrate, Elektroseveri mund të fillojë furnizimin me energji
elektrike në veri të Kosovës.
“Këtë e mundësojnë kontratat e nënshkruara ndërmjet KEDS-it dhe Elektroseverit, së bashku me rolet dhe përgjegjësitë e rregulluara të secilës palë, në përputhje me legjislacionin parësor dhe atë dytësor që zbatohen në Republikën e Kosovës”, tha zëdhënësi i KEDS-it, Lulzim Krasniqi.
Ai, po ashtu, shtoi se kontrata komerciale është nënshkruar në bazë të marrëveshjeve të arritura paraprakisht në kuadër të dialogut, dhe se Elektroseveri, “si nënkontraktues i KEDS-it, duhet ta përmbushë obligimin e kontraktimit të shërbimeve të shpërndarjes dhe furnizimit, në bazë të licencës së furnizuesit në veri të Kosovë”.
Kontrata e nënshkruar me KEDS-in rregullon përdorimin e rrjetit të shpërndarjes sipas kontratës për kyçje, sikurse edhe për furnizuesit tjerë aktivë në Kosovë”, thotë Krasniqi
Megjithatë, nga kjo kompania nuk janë përgjigjur qartë në pyetjen, se a do të thotë kjo se qytetarët në veri do të fillojnë të paguajnë faturat e energjisë elektrike, pas më shumë se dy dekadash.
Përgjigjen në këtë pyetje e ka dhënë zëvendëskryeministri i Kosovës dhe kryenegociatori në dialogun me Serbinë, Besnik Bislimi.
“Tash duhet të ecet tutje edhe me hapat e tjerë të nevojshëm për t’i dhënë fund pas më shumë se 20 vitesh, ilegalitetit në mospagesë të rrymës”, ka shkruar Bislimi në llogarinë e tij në Facebook.
Çfarë thonë qytetarët?
Mirjana nga Mitrovica e Veriut, komunë e banuar me shumicë serbe në veri të Kosovës, nuk e di se çfarë do të thotë në praktikë nënshkrimi i kontratës komerciale ndërmjet kompanisë serbe Elektrosever dhe KEDS-it të Kosovës.
“Ne jemi të hutuar, së pari unë, se çfarë do të thotë kjo për ne. Me kë e nënshkruajmë kontratën, kur do të [fillojmë] të paguajmë energjinë elektrike? Mendoj se është e rëndësishme që dikush t’i drejtohet publikut, të shpjegojë në mënyrë të thjeshtë se çfarë do të ndodhë me rrymën”, tha Mirjana në një prononcim për Radion Evropa e Lirë.
“Nuk ia kam idenë se çfarë do të jetë”, tha një tjetër banor i Mitrovicës së Veriut, i cili kërkoi që emri dhe mbiemri i tij të mos përmendet publikisht. Sipas tij, “populli është mashtruar” dhe beson se askush nuk e di se çfarë do të thotë për qytetarët e veriut nënshkrimi i kontratës komerciale me KEDS-in.
Ndërkaq, Nenadi theksoi se “është koha të fillojmë të paguajmë energjinë elektrike”.
“Nëse duam ta shikojmë nga një anë, të mos e paguash energjinë elektrike për një çerek shekulli, nuk ka kështu askund në botë. Në anën tjetër, do të shohim se çfarë ofrojnë ato kontrata, a do të ketë privilegje, a do të fshihen borxhet e vjetra dhe si do të bëhet pagesa”, tha Nenad për Radion Evropa e Lirë.
Borxhet për energjinë elektrike të konsumuar në veri të Kosovës, nga viti 2017 mbulohen nga Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike në Kosovë (KOSTT), gjegjësisht nga Qeveria e Kosovës. Deri atëherë, borxhin për veriun e paguanin qytetarët e Kosovës nga komunat tjera në jug të Ibrit, në mënyrë paushall, kështu që faturat e tyre ishin më të larta për 3.5 për qind.
Çfarë thonë nga Serbia?
REL-i i është drejtuar kompanisë publike serbe Elektroprivreda Srbije (EPS), nën pronësinë e së cilës është Elektrosever, me pyetjen se çfarë hapash konkretë parasheh kontrata komerciale me KEDS-in dhe çfarë saktësisht nënkupton në praktikë. Mirëpo, deri në publikimin e këtij artikulli, përgjigja nuk ka ardhur.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha më 10 dhjetor se një nga hapat e ardhshëm është që kompania Elektrosever të nënshkruajë një “kontratë me popullatën”, pra me konsumatorët në veri të Kosovës.
Ai theksoi se “ende po i shikojmë detajet” e marrëveshjes ndërmjet kompanive Elektrosever dhe KEDS-it, por se qëllimi kryesor i Beogradit zyrtar është që “të shmanget çdo mundësi që populli në veri të Kosovës të mbetet pa energji elektrike”.
“Fundja, kjo është gjëja më e rëndësishme për ne”, tha Vuçiq.
Ai shtoi se marrëveshja ndërmjet Elektroseverit dhe KEDS-it “nuk e paragjykon çështjen e pronës”, por nuk ka specifikuar se për cilën pronë bëhet fjalë, e as çfarë do të thotë konkretisht kjo.
As KEDS-i i Kosovës nuk ka dhënë përgjigje konkrete lidhur me pyetjen për pronën.
Çfarë parashohin marrëveshjet për energjinë?
Kosova dhe Serbia arritën marrëveshjen e parë për energjinë në vitin 2013. Ndër të tjera, ajo parasheh formimin e kompanisë Elektrosever, e cila do të furnizojë konsumatorët me energji elektrike, do të ofrojë shërbime të shpërndarjes, gjegjësisht dhënien dhe mbledhjen e faturave, si dhe mirëmbajtjen dhe lidhjen fizike të konsumatorëve të rinj.
Më pas, në vitin 2015 janë miratuar Konkluzionet për zbatimin e marrëveshjes për energjinë, të cilat parashikojnë hapa konkretë për themelimin e Elektroseverit, sipas ligjeve të Kosovës.
Por, në qershor të vitit 2022, për shkak të vonesës në zbatimin e këtyre marrëveshjeve, me ndërmjetësimin e BE-së, u miratua Udhërrëfyesi për zbatimin e marrëveshjes për energjinë.
Ky udhërrëfyes parashihte gjithashtu hapa të qartë në drejtim të zbatimit të marrëveshjes, të cilët është dashur të bëhen brenda 100 ditëve, por që nuk u realizuan brenda atij afati.
Kosova dhe Serbia ia faturonin përgjegjësinë njëra-tjetrës, ndërsa Bashkimi Evropian, më herët, deklaroi se vonesa ishte shkaktuar për “arsye teknike”.
Udhërrëfyesi për zbatimin e marrëveshjes për energjinë parasheh që kompania Elektrosever të marrë licencë për të punuar në Kosovë dhe të nënshkruajë marrëveshje teknike me Kompaninë e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS) dhe Operatorin e Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike në Kosovë (KOSTT).
Më pas, Elektroseverit i është dashur të marrë kodet identifikuese për kryerjen e aktiviteteve, ndërkaq që KEDS-i dhe KOSTT-i të kenë qasje në nënstacionin e Vallaçit në veri të Kosovës, si dhe në infrastrukturën tjetër për shpërndarjen e energjisë elektrike.
Po ashtu, në Udhërrëfyesin për zbatimin e marrëveshjeve energjetike thuhet se KEDS-i dhe KOSTT-i, në konsultim me Elektroseverin, duhet të dorëzojnë në Zyrën e Rregullatorit për Energji (ZRRE) planin investues, kostot e mirëmbajtjes, si dhe humbjet në rrjet, bazuar në analizën e infrastrukturës ekzistuese.
Shu