Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Dimal Basha, ka akuzuar Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) për manipulim me votat me postë, duke pretenduar se kjo praktikë i ka kushtuar LVV-së humbjen e të paktën dy deputetëve.
Në një postim në Facebook, Basha ka publikuar të dhëna nga disa komuna, duke krahasuar përqindjet e votave të fituara nga LDK në Kosovë me ato që kanë ardhur nga diaspora. Sipas tij, rezultatet tregojnë një “inxhiniering elektoral” të pastër.
Ai ka sjellë si shembull Skënderajn, ku LDK ka marrë vetëm 2% të votave në Kosovë, por 27% të votave me postë, një rritje e jashtëzakonshme që ai e cilëson si të pamundur matematikisht dhe logjikisht. Një situatë e ngjashme, sipas tij, është vërejtur edhe në Drenas dhe Deçan, ku LDK ka shënuar rritje të madhe të votave me postë në krahasim me rezultatet e saj në vendvotimet brenda Kosovës.
“Pse nuk reagojnë PDK dhe AAK për këtë manipulim?”, pyet Basha, duke pretenduar se këto parti nuk preken nga këto ndryshime, pasi numri i deputetëve të tyre nuk ndikohet nga votat me postë.
Ai i ka bërë thirrje Prokurorisë që të nisë hetime për këtë çështje dhe ka kërkuar rivotim për votat e diasporës, duke e cilësuar këtë situatë si një “hajni të pastër” që ka deformuar vullnetin e votuesve.