“Dimal Basha duhet të japë dorëheqje”

“Dimal Basha duhet të japë dorëheqje”

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka deklaruar se partia që ai udhëheq do ta respektojë në plotni aktgjykimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

Në një intervistë për Klan Kosova, Limaj theksoi se ende pritet publikimi i plotë i aktgjykimit për të kuptuar se çfarë udhëzimesh ka dhënë Gjykata.

“Është ende e panjohur derisa ta lexojmë aktgjykimin, dhe pastaj, mbi bazën e atij aktgjykimi, do të marrim vendime. Ajo çka mund t’iu them unë që tani, është se, si gjithmonë, ne vazhdojmë t’i ndjekim aktvendimet e Gjykatës Kushtetuese”, ka thënë Limaj.

Limaj gjithashtu ka komentuar në lidhje me kryetarin aktual të Kuvendit, Dimal Basha, për të cilin tha se nuk e njeh si kryetar dhe kërkoi dorëheqjen e tij për shkak të një punimi shkencor që, sipas Limajt, fyen Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

“Nuk ka ofendim më të madh për Kosovën sesa ai të flet në emër të Kosovës apo të ulet atje dhe ta drejtojë Kuvendin e Kosovës, një njeri i cili deklarimet dhe qëndrimet e tij janë të barabarta me Dick Martyn, ‘Librin e Bardhë’ të Serbisë, me gjithë ata që betejën e kanë kundër shtetit të Kosovës dhe punojnë për shkatërrimin e këtij shteti.”

Ai shtoi se Basha ka fyer rëndë popullin e Kosovës dhe duhet të marrë përgjegjësi.

“Besoj që gjëja më e pakt që duhet të bëjë është të japë dorëheqje. E ka fyer dhe e ka ofenduar shtetin, kombin e vet, krejt diasporën e popullit të vet, popullin e vet e bën kartele të drogës”, tha Limaj.

Related Articles