Diplomati amerikan: Sa herë që e vizitoj Kosovën shoh progres

Diplomati amerikan: Sa herë që e vizitoj Kosovën shoh progres

Diplomati amerikan, John Erath, rrëfen pkujtimet që i ka nga Kosova.

Ai tregon se shqiptarët vuajtën shumë gjatë regjimit të ish-presidentit të Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq.

“Unë kam jetuar në Kosovë gjatë vitit 1992, dhe e mbaj mend shumë mirë se çfarë periudhe e vështirë ka qenë për shqiptarët. Ka pasur raste kur civilët janë abuzuar nga forcat policore pa ndonjë arsye, pra ishin kushte vështira për të zhvilluar një jetë normale. Këto janë pasojat që shkaktohen nga politikanë nacionalistë. Ishte e qartë se Sllobodan Millosheviq po e përdorte Kosovën vetëm për qëllime politike”, tha ai për Tëvë1.

Erath, thotë se sa herë që e viziton Kosovën sheh progres, megjithatë sipas tij ka ende shumë punë për t’u bërë.

Ai ende e sheh nacionalizmin si problemin kryesor në rajonin e Ballkanit. Dhe, kjo atij ia kujton vitet e 90-ta.

“Sa herë që kthehem në Kosovën shoh se është bërë progres. Shoh më shumë biznese dhe njerëz që mundohen të punojnë, por natyrisht ka ende shumë për t’u bërë. Si në Kosovë ashtu edhe në vendet e tjera të rajonit ajo që më shqetëson më se shumti janë politikat nacionaliste. Akoma në Ballkan ka politikanë me tendenca nacionaliste e që bëjnë ndasi mbi baza etnike. Kjo është shumë e gabuar”, shtoi Erath.

Amerikani ka folur edhe për çështjen e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

Sipas tij, ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, mund ta luaj një rol vendimtar në këtë proces.

“Në Veri të Mitrovicës po përsëriten krizat për arsye te ndryshme dhe të dyja palët po mbajnë qëndrime të forta. Zgjidhja më e mirë do të ishte që procesi i dialogut të përfundonte me njohje reciproke por kjo nuk është aspak lehtë. Deri më tani nuk kam parë një dialog substancial mes palëve. Në një moment të caktuar ju duhet të jeni të gatshëm të merrni vendime të mëdha që kërkojnë kompromise serioze”.

“Ajo që mund që them është se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë emëruar si ambasador në Kosovë njërin nga diplomatët më të mirë. Ai është një diplomat që mund të bëjë zgjidhje”, tha diplomati amerikan.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë rritur dukshëm angazhimin e tyre për të ndihmuar në zgjidhjen e problemit mes Kosovës dhe Serbisë.

Related Articles