Një grup i specializantëve do të mbajnë nesër një protestë para Ministrisë së Shëndetësisë, pasi sipas tyre diskriminimi ndaj tyre është duke u thelluar edhe më shumë.
Kryetari i Këshillit të Specializantëve, Arianit Zajmi ka thënë për KP se mbajtja e kësaj proteste ishte paraparë për ditën e premte, por ajo është zhvendosur për ditën e enjte.
Ndryshe, në një njoftim të këshillit të specializantëve, datë 22 janar, ata kishin marrë një njoftim jo zyrtar nga këshilltari i Ministrit të Shëndetësisë, se do të propozohet nga kjo ministri mbajtja e dy kujdestarive, të cilat do të paguhen si të zakonshme (50 euro) edhe nëse mbahen gjatë vikendit.
“Kujdestaritë më shumë se dy, do të paguhen përmes një ekstra kontrate nga SHSKUK-ja. Çështja e specializanteve me vetëfinancim nuk do të zgjidhet së paku deri në gusht 2022, për pak kohë do të fillojë punën grupi punues për ndryshimin e udhëzimit administrativ. Ministri i Shëndetësisë për shkak të situatës me COVID-19 nuk ka pasur kohë të takohet me neve. Për pagesën e specializantëve nga Mali i Zi, Maqedonia, Shqipëria është duke u punuar. Duke u bazuar në këto 5 pika, ne vlerësojmë që diskriminimi jonë veçse është duke u thelluar edhe më shumë”, thuhet në njoftim.
Specializantët e Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës(ShSKUK) kanë protestuar edhe më herët para Ministrisë së Shëndetësisë, pasi kërkesa e tyre që t’u paguhen orët e kujdestarive është refuzuar nga Komisioni për Buxhet dhe Financa. /Gazeta Enigma/.