Distria fiton medaljen e argjendtë në Gjeorgji

Distria fiton medaljen e argjendtë në Gjeorgji

Distria Krasniqi ka vazhduar me suksese në garat e xhudos. Kampionja olimpike ka fituar medaljen e argjendtë në Grand Slamin e Tbilisit, të premten, raporton Gazeta Enigma.

Për Distrinë është gara e radhës që e përfundon me medalje. Jashtë podiumit për herë të fundit ka mbetur në nëntor të vitit 2021. Distria ishte bartësja e parë në Tbilisi të Gjeorgjisë, ndërsa në finale të kategorisë deri 52 kilogramë u mposht nga bartësen e dytë, Diyora Keldiyorova e Uzbekistanit. Keldiyorova startoi fuqishëm duke e befasuar xhudisten kosovare.

Brenda minutës së parë realizoi dy aksione të suksesshme për fitoren e madhe. Distria deri në finale ka shkuar me tri fitore me Ippon. Fillimisht në raundin e dytë e kaloi Charne Grieselin e Afrikës së Jugut. Amber Ryheul e Belgjikës u mposht nga Distria në çerekfinale, ndërsa në gjysmëfinale xhudistja pejane ishte më e mirë se gjermanja Mascha Ballhaus.

Me të argjendtën në Tbilisi, Distria ka konfirmuar se është në rrugën e duhur para Kampionatit Botëror që mbahet pas disa javësh. Po ashtu 27-vjeçarja ka fituar 700 pikë të vlefshme në renditjen botërore. Në kategorinë deri 52 kilogramë ka garuar edhe Erza Muminoviq.

Ajo fitoi luftën e parë, ndërsa u ndal në të dytën. Për Distria Krasniqin ishte gara e dytë këtë vit. Ajo fitoi të artën në Grand Slamin e Parisit.

Related Articles