Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka uruar mësimdhënësit në ditën botërore të tyre.
Krasniqi tha se fatkeqësisht kjo ditë mësuesit në Kosovë i gjenë të vuajtur, me paga aspak dinjitoze në krahasim me realistin e ri, si dhe të shtypur e të penalizuar.
“Sot, si asnjëherë më parë, mësimdhënësit kosovarë kanë një Qeveri aspak miqësore e empatike me ta dhe një Kryeministër të cilit nuk i intereson mirëqenia e as kontributi i tyre historik”.
“Mësimdhënia është akti më i lartë i optimizmit. Kjo Qeveri, me ose pa vetëdije, po e vret atë, duke rrënjosur pesimizmin e dëshpërimin në zemrat e mësimdhënësve dhe nxënësve”, është shprehur Krasniqi.
Tutje, ai i ka bërë ftesë qeverisë që përveç ekzekutimit të pagave të shtatorit për mësimdhënësit, sa më parë të sjellë në kuvend Ligjin për Paga, pasi sipas tij, mësuesit mëritojnë një trajtim dinjitoz.
“Ndërkaq, për punën e përkushtimin e tyre të vazhdueshëm, u dërgoj falënderimet më të përzemërta të gjithë mësimdhënësve kosovarë. Mos u dëshpëroni! Dje, sot, nesër – jemi me ju”, është shprehur Krasniqi.