Në Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Viktimave të Holokaustit, sonte është mbajtur një ceremoni komemorative në amfiteatrin e Bibliotekës Kombëtare në Prishtinë.
Kjo ditë u shënua në mesin e diplomatëve të huaj, përfaqësuesve institucionalë dhe atyre të shoqërisë civile.
Ambasadorja e Izraelit në Kosovë, Tamar Ziv, tha se urrejtja ndaj hebrenjve po vazhdon edhe sot, për çka shtoi se çdo ditë raportohen sulme fizike dhe gjuhë e urrejtjes.
“Holokausti ishte mohimi përfundimtar i të drejtave dhe dinjitetit njerëzor. Ai buronte nga një ideologji antisemitike që ua hoqi njerëzve të drejtat, i çnjerëzoi ata dhe shpalli se disa raca janë johumane dhe për këtë arsye të rrezikshme për shoqërinë dhe duhet të eliminohen. Antisemitizmi, urrejtja ndaj hebrenjve, nuk përfundoi me Holokaustin 81 vjet më parë. Ai është shndërruar në retorikë të mohimit të Holokaustit, në sulme fizike kundër hebrenjve dhe komuniteteve hebreje në mbarë botën, si dhe në thirrje për shkatërrimin e Shtetit të Izraelit”, u shpreh ambasadorja izraelite.
Sipas saj, komunitetet hebreje në dhjetëra vende raportojnë çdo ditë incidente, përfshirë kërcënime, sulme fizike, vandalizëm dhe gjuhë urrejtjeje në hapësirat publike dhe në rrjetet sociale, si dhe dhunë vdekjeprurëse.
“Hebrenjtë po shënjestrohen sërish vetëm sepse janë hebrenj. Sinagogat, komunitetet hebreje dhe qendrat komunitare hebreje kanë nevojë për mbrojtje. Hebrenjtë fshehin simbolet e tyre të jashtme për të mos u identifikuar si hebrenj dhe për të mos u kërcënuar, ndërsa studentët hebrenj ndihen të pasigurt në kampuse”, ka thënë ajo.
Ambasadorja izraelite në Kosovë shtoi se, “është e paimagjinueshme që në vitin 2026 hebrenjtë në gjithë botën jetojnë në gjendje frike”.
Tamar Ziv përmendi edhe statistika të incidenteve antisemitike, të cilat ajo i quajti tronditëse.
“Gjatë tre muajve të fundit të vitit 2023, pas sulmit të 7 tetorit, u dokumentuan mbi 1,700 incidente antisemitike. Në vitin 2024, ky numër u dyfishua në më shumë se 6,300 incidente, dhe viti 2025 shënoi një rritje të mëtejshme. Që nga 7 tetori, mbi 13,000 incidente antisemitike kanë ndodhur në mbarë botën, përfshirë sulme vdekjeprurëse në Mbretërinë e Bashkuar, ShBA, Evropë dhe Australi, në të cilat më shumë se 20 hebrenj u vranë vetëm sepse ishin hebrenj. Sulmi i fundit i tmerrshëm ndodhi në dhjetor në Bondi Beach në Australi, kur një turmë prej mijëra personash u mblodh për të festuar natën e parë të Hanukës, Festës Hebreje të Dritës. Ajo që duhej të ishte një rast gëzimi dhe bashkimi u shndërrua në një moment pikëllimi dhe terrori, kur dy persona të armatosur hapën zjarr ndaj turmës, duke vrarë 15 persona të pafajshëm, përfshirë një fëmijë 10-vjeçar dhe një të mbijetuar të moshuar të Holokaustit, si dhe duke plagosur dhjetëra të tjerë”, theksoi ambasadorja e Shtetit të Izraelit në Kosovë, Tamar Ziv.
