Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, në shënimin e Ditës së të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, është shpreur se avancimi i vendit tonë është pothuajse i pamundur pa trajtimin e plagëve të së kaluarës.
Ai përmes një postimi në Facebook ka thënë se plagët e popullit të Kosovës janë të thella dhe siç u shpreh ai, nuk harrohen asnjëherë.
“Të thella janë plagët e popullit të Kosovës, ato nuk harrohen asnjëherë! Në shënim të Ditës së të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, të reflektojmë si institucione por edhe si shoqëri për ngritjen e vetëdijes për një angazhim më të madh, që personat me plagë të luftës ta fitojnë të drejtën e tyre, trajtimin dhe pozicionin e dinjitetshëm në shoqëri, por njëkohësisht që asnjëherë të mos ndihen vetëm në betejën për drejtësinë, të cilën ende nuk e kanë parë. Avancimi i vendit tonë është pothuajse i pamundur pa trajtimin e plagëve të së kaluarës”, ka shkruar ai.