Flutura Mazreku, me prejardhje nga Kosova dhe e martuar me deputetin kanadez Kyle Seeback, ka treguar për Klankosova.tv se ruajtja e lidhjes me rrënjët shqiptare është shumë e rëndësishme për të dhe familjen e saj.
Ajo foli edhe për djalin e tyre, të cilin e ka pagëzuar Williams Kastriot, dhe mënyrën se si ia transmeton atij gjuhën, traditat dhe historinë e kulturës shqiptare.
Flutura tha se flet vetëm në gjuhën shqipe me djalin dhe i këndon atij ninullat shqiptare, ato që dikur ia kishte kënduar nëna e vet asaj.
“Të jetosh në Kanada është një privilegj i madh për mua dhe familjen time, por ruajtja e lidhjes me rrënjët e mia shqiptare mbetet shumë e rëndësishme për mua. Une flas shqip me prindërit e mi dhe ata flasin vetëm shqip me të birin tim. Poashtu, përpiqem që të birin tim ta përfshij sa më shumë në traditat dhe historinë tonë. Une Kastriotit çdo ditë i këndoj ninulla shqiptare, të njëjtat që mami im mi ka kënduar mua”, tha Flutura për Klankosova.tv.
Ajo theksoi se për të është shumë e rëndësishme që djali i saj të rritet duke e ditur se kush është dhe nga vjen dhe duke ndjerë gjithmonë një lidhje të fortë me rrënjët e tij shqiptare.
“Gjithmonë e kam ditur që do t’i vendosja fëmijës tim një emër shqiptar. Zgjedhja e emrit Kastriot ishte e lehtë për mua, sepse doja emrin më të fuqishëm shqiptar që më vinte në mendje. Për mua, ky emër përfaqëson trashëgiminë dhe vlerat që dua t’ia përcjell djalit tim”, tha Flutura.
